LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Qeveria Kurti ka prerë në besë fermerët

Haradinaj: Qeveria Kurti ka prerë në besë fermerët

Kryeministri Albin Kurti gjatë në një konferencë për media ka njoftuar se do të subvencionojnë bujqit dhe se për këtë kanë në dispozicion 50 milionë euro.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar nga Kurti që së pari të kompensoj dëmet e bujqve për vitin 2021.


Haradinaj në një postim në Facebook, ka thënë se mungesa e dorës së shtetit për bujqit ka qenë e tmerrshme.

“Bujqësia është sektor me rëndësi thelbësore për vendin. Ky sektor edhe në kushte normale ekonomike operon me vështirësi, e duke pasur parasysh se koha për të cilën po flasim është situatë pandemike, atëherë mungesa e dorës së shtetit ka qenë e tmerrshme”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Qeveria ndan 50 milionë euro për subvencione në bujqësi, rreth 500 euro për një hektar grurë
Lexo po ashtu Qeveria ndan 50 milionë euro për subvencione në bujqësi, rreth 500 euro për një hektar grurë

I pari i AAK-së thotë se Qeveria Kurti ka prerë në besë fermerët, pasi nuk ka mbajtur premtimet për bujqit.

“Qeveria Kurti ka prerë në besë fermerët, të cilët në vend të rritjes së subvencioneve sipas premtimeve, në vitin e kaluar ata u përballën me papërgjegjësinë totale të qeveritarëve”.

“Planifikimi për vitin 2022, si duket ka nisur në kohë, por krahasimet statistikore me vitin paraprak janë qesharake”.

Megjithatë Haradinaj ka thënë se subvencionimi i fermerëve në këtë kohë është domosdoshmëri.

“Në kohën kur shumë shtete po e ndërprejnë eksportin e produkteve agroushqimore, duke përfshirë edhe grurin, subvencionimi i fermerëve është një domosdoshmëri, ashtu siç janë edhe masat e tjera të nevojshme për përkrahjen e këtij sektori”.

Ish-kryeministri thotë se Qeveria duhet të kompensojë dëmet që i janë shkaktuar sektorit të bujqësisë gjatë vitit të kaluar.

“Në vend të fjalëve të zbrazëta në konferenca shtypi, Qeveria duhet të ndërmerr veprime të shpejta e vendime të përgjegjshme, një prej tyre edhe kompensimi i dëmeve që i shkaktuan sektorit të bujqësisë gjatë vitit 2021, për shkak të mosveprimit me kohë të tyre”, ka shkruar tutje Haradinaj./Telegrafi/