Pas dëmeve nga breshëri në Istog, institucionet nisin vlerësimin e dëmeve dhe masat për rikuperimin e bujqësisë

Ekipet profesionale të Institutit Bujqësor të Kosovës (IBK) dhe Departamentit të Shërbimeve Këshilluese dhe Teknike (DSHKT), në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale për Bujqësi në Istog, kanë vazhduar punën në terren për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ekipet po vlerësojnë dëmet e shkaktuara, nevojat për ndërhyrje urgjente dhe masat agronomike që duhet të ndërmerren për ruajtjen dhe rikuperimin e prodhimit bujqësor.
Vëmendje e veçantë po i kushtohet kulturave shumëvjeçare, si dhe përcaktimit të nevojave për rimbjelljen e kulturave të dëmtuara.
Institucionet kanë theksuar se ndërhyrjet agronomike dhe fitosanitare në ditët e para pas breshërit janë të rëndësishme për parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme, zvogëlimin e rrezikut nga sëmundjet dhe rritjen e mundësive për rikuperimin e prodhimit.
Rekomandimet profesionale do t’u përcillen fermerëve pas përfundimit të vlerësimeve në terren.
Për koordinimin e përgjigjes institucionale, ministri Armend Muja ka themeluar Shtabin për Menaxhimin e Situatës, i cili po bashkërendon veprimet ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.
Ndërkohë, ministri ka udhëzuar përgatitjen dhe zbatimin e një programi të masave për rikuperimin e prodhimit bujqësor. Programi parashikon ndërhyrje të menjëhershme agronomike dhe fitosanitare, mbështetje për rimbjelljen e kulturave të dëmtuara, si dhe masa parandaluese për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor ndaj ndryshimeve klimatike.
Në kuadër të kësaj qasjeje, Ministria e Bujqësisë po zhvillon një program të integruar për menaxhimin e rrezikut në bujqësi. Programi përfshin pilotimin e skemës së sigurimeve bujqësore, zgjerimin e mbështetjes për investime në rrjeta mbrojtëse kundër breshrit dhe zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për fermerët.
Gjithashtu, synohet forcimi i rolit të Institutit Bujqësor të Kosovës dhe shërbimeve këshilluese në terren, si dhe orientimi i skemave të mbështetjes drejt investimeve që rrisin qëndrueshmërinë e prodhimit dhe u mundësojnë fermerëve të rikuperohen më shpejt pas fatkeqësive natyrore.


































