Ministria e Bujqësisë publikon rekomandime për fermerët pas dëmeve nga breshëri

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar një varg rekomandimesh për fermerët lidhur me trajtimin e pemëve frutore pas dëmtimeve të shkaktuara nga breshëri.
Sipas Ministrisë, pas goditjes nga breshëri, prioritet kryesor është mbrojtja e plagëve të krijuara në bimë, parandalimi i infeksioneve dhe ndihma në rikuperimin e kulturave bujqësore.
Në rekomandimet e publikuara, MBPZHR ka këshilluar fermerët që fillimisht të aplikojnë preparate me bazë bakri për dezinfektimin e plagëve dhe uljen e rrezikut nga infeksionet bakteriale dhe kërpudhore.
“Rekomandohet aplikimi i preparateve me bazë bakri për dezinfektimin e plagëve dhe uljen e rrezikut të infeksioneve bakteriale dhe kërpudhore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, ku përmenden preparate si hidroksidi i bakrit, oksikloruri i bakrit dhe lëngu Bordolez.
Sipas MBPZHR-së, këto preparate krijojnë një shtresë mbrojtëse në sipërfaqet e dëmtuara dhe zvogëlojnë mundësinë e depërtimit të patogjenëve përmes plagëve të shkaktuara nga breshëri.
Ministria ka rekomanduar që 2 deri në 5 ditë pas trajtimit fillestar të përdoren biostimulantë për të ndihmuar bimën në tejkalimin e stresit fiziologjik dhe rigjenerimin e indeve të dëmtuara.
Në këtë fazë, fermerëve u sugjerohet përdorimi i aminoacideve, ekstrakteve të algave detare, acideve humike dhe fulvike, si dhe preparateve me bazë silici.
Po ashtu, për rikuperimin e pemëve frutore rekomandohet edhe një program i balancuar ushqyes, i cili përfshin kalcium dhe bor për forcimin e indeve të reja, azot në doza të moderuara për rigjenerimin e masës gjethore dhe kalium për rritjen e rezistencës së bimës ndaj stresit.
MBPZHR ka bërë thirrje që fermerët të monitorojnë rregullisht gjendjen e pemishteve, pasi pas breshërit rritet rreziku i shfaqjes së sëmundjeve kërpudhore dhe bakteriale.
“Trajtimet fitosanitare duhet të zbatohen sipas vlerësimit të dëmtimeve, kushteve klimatike dhe rekomandimeve për kulturën përkatëse, duke respektuar preparatet e regjistruara dhe udhëzimet e etiketës”, ka bërë të ditur Ministria.
Sipas njoftimit, rekomandimet duhet të përshtaten me llojin e pemës frutore, fazën e zhvillimit, shkallën e dëmtimit dhe kushtet agroklimatike të zonës.
Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike i MBPZHR-së ka inkurajuar fermerët që të ndjekin praktikat profesionale bujqësore dhe të kërkojnë këshilla në Qendrat Informative Këshillimore Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. /Telegrafi/



































