LAJMI I FUNDIT:

Hapja e kufijve dhe ndikimi në ekonomi, flasin ekspertët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Hapja e kufijve dhe ndikimi në ekonomi, flasin ekspertët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Mbyllja e kufijve ka sjellë pasoja negative në ekonomi, thonë ekspertët Ines Muçostepa, kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Nagib Fejzi, kryetar i forumit mbarëkombëtar të prodhuesve për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën,

Ata në Euronews Albania kanë folur lidhur me një strategji bashkëpunimi mes vendeve të rajonit në mënyrë që të reduktohet sado pak ndikimi negativ edhe në kushtet kur marrëdhëniet tregtare me vendet e BE-së e më gjerë nuk do të mund të rimarrin përmasat e mëparshme për një kohë jo të shkurtër.


“Sigurisht ekonomia shqiptare është duke ndjerë fortë të gjithë krizën globale. Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së kanë rënë ndjeshëm. Ne mendojmë që tani duhet të shfrytëzojmë të gjithë potencialet lidhur me bashkëpunimin ekonomik me vendet fqinje, sidomos ato të trevave shqiptare. Në qoftëse sot do të llogarisim trevat shqiptare, kemi Kosovën me të cilën mund të ndërtojmë një treg të përbashkët prej 5 milionë konsumatorësh, gjithashtu kemi Maqedoninë e Veriut me rreth 500 mijë qytetarë të tjerë më origjinë shqiptare, 30 mijë në Mal të Zi. Mendoj se është një numër i konsiderueshëm konsumatorësh, të cilët në këtë moment mund t’i vijnë në ndihmë situatës së vështirë ekonomike. Siç ne kërkojmë prej kohësh, si me Odën e Kosovës ashtu edhe me atë të Maqedonisë, i kërkohet qeverive tona të bashkërendojmë rregulla, për sa i përket zhvillimit të mirë të tregtisë, politikave ekonomike apo fiskale, në mënyrë që këto të përafrohen. Duhet që tregjet tona të përthithin më pas edhe investime të huaja, që për momentin shihen si me rrezik”, tha Ines Muçostepa.

Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë shtoi se bashkëpunimi në turizëm mund të ndihmonte shumë ekonomikisht Shqipërinë.

“Sa i takon turizmit, duhet parë edhe kjo si një mundësi e mirë duke qenë se 46% e të gjithë të ardhurave nga jashtë vitin e kaluar, kanë qenë prej turistëve të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Duke llogaritur një vlerë ekonomike që ato kanë shpenzuar në Shqipëri diku te 1 miliardë euro, mendoj që sa i takon turizmit mund të kemi një bashkëpunim shumë të mirë”, tha Muçostepa.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës u shpreh se nuk ka një ushtrim presioni për hapje të kufijve nga ana e Kosovës, duke qenë se shëndeti i njerëzve është parësor aktualisht.

“Nuk ka presion nga ana e Kosovës që të hapen kufijtë dhe për të rrezikuar shëndetin. Ne duam të jemi të kujdesshëm deri në momentin që do të kemi një situatë që na e mundëson këtë. Deri më tani nuk është penguar qarkullimi i mallrave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Po kërkojmë të gjejmë mënyra të komplementaritetit në ekonomi, mënyra të eliminimit të barrierave që pengojnë bashkëpunimin në ekonomi si dhe të gjejmë zgjidhje që të sjellim në platforma të përbashkëta jo vetëm organizatat dhe institucionet, por edhe kompanitë, ndërmarrjet private, që edhe ato të gjejnë mundësinë të bëjnë investime të përbashkëta në vendet që ne mbulojmë”, tha Rukiqi.

Nagib Fejzi, kryetar i Forumit Mbarëkombëtar të Prodhuesve në Maqedoninë e Veriut, e cilësoi si të domosdoshme hapjen e kufijve sa më shpejtë në mënyrë që ekonomia të mos pësojë kolaps.

“Siç e shihni ky problem është duke mbaruar. Pandemia është përpara përfundimit dhe unë mendoj se ne tashmë duhet të nisim të flasim më konkretisht. Në boznes nuk ka humbje kohe. Bizneset e vendeve tona janë të dëmtuara, sidomos ai i prodhuesve që unë përfaqësoj. Për derisa ka një rënie të ndjeshme të numrit të vdekjeve në rajon, unë mendoj që ka ardhur koha për hapje të kufirit. Vihet re një përpjekje për hapje të kufijve rajonalë, por as në Maqedoninë e Veriut nuk është vënë re ndonjë iniciativë për momentin në lidhje me këtë çështje. Ne sot duhet të fillojmë të flasim për pandeminë ekonomike. I bëj thirrje Dhomave të Tregtisë, bizneseve të ndryshme, t’i bëjnë presion politikës, e cila bëri punën e vetë. Të mos humbet kohë në këtë çështje, jemi përpara një kolapsi të bizneseve shqiptare. Hapja e kufijve do ta zbuste problematikën ekonomike që po kalojmë”, tha Fejzi.