Qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë nga sot për të përfituar nga Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2025–2026.

Aplikimi bëhet përmes platformës eKosova, në seksionin Shërbimet – Grante dhe Subvencione, në këtë link: https://ekosova.rks-gov.net/562.


Sipas njoftimit zyrtar, familjet që kanë aplikuar vitin e kaluar nuk kanë nevojë të riaplikojnë, pasi të dhënat e tyre janë bartur automatikisht për vitin e ri, raporton Telegrafi.



Megjithatë, në rast se ka ndryshime në numrin e anëtarëve të familjes, vendbanimin apo njehësorin elektrik, këto mund të përditësohen në formularin ekzistues, përpara se të klikohet opsioni “Apliko”.

Ky program synon të mbështesë familjet më të cenueshme ekonomikisht gjatë stinës së dimrit, duke lehtësuar përballjen me shpenzimet e energjisë elektrike.

Kriteret kryesore të përfitimit:

Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;

Të kenë të ardhura deri në 150 euro për anëtar;

Të kenë pasuri të paluajtshme deri në 100,000 euro.

Subvencionet do të llogariten sipas formulës së përllogaritjes bazuar në të ardhurat mesatare familjare dhe në faturën mujore të energjisë elektrike.

Aplikimi do të jetë i hapur për gjashtë muaj, por autoritetet ftojnë të gjithë aplikuesit e rinj dhe ata që kanë ndryshime në të dhëna të aplikojnë gjatë muajit tetor, pasi pagesat retroaktive nuk do të realizohen. /Telegrafi/