LAJMI I FUNDIT:

Hamshori gjakpastër arab është në Kosovë (Foto/Video)

Hamshori gjakpastër arab është në Kosovë (Foto/Video)

Hamshori në foto është raca më fisnike e kuajve në botë që njihet edhe si gjakpastër arab. Para pesë muajsh, nga ferma e njohur e kuajve “Verband der Züchter und Freunde des Arabischen Pferdes e.V” në qytetin Lohnde të Gjermanisë, kjo racë mbërriti në Kosovë.

Hamshori me emrin Tahirokan është pronë e Arben Ukajt nga Novosella e Poshtme e Gjakovës.


Në pasaportën e Tahirokanit shënon se u lind më 23 korrik të vitit 2015 dhe është raca më fisnike: Arabisches Vollblut (0X).

Aktualisht është 20 muajsh dhe ka ngjyrë kafeje. Kur Tahirokan do t’i mbushë pesë vjet, ai do të merr ngjyrë krejt të bardhë.

Çmimi i hamshorit Tahirokan është shumë i lartë. Në marrëveshje me pronarin, çmimi nuk publikohet.

Familja Ukaj njihet si bëmirëse. Ndërsa, Arbeni është i pasionuar pas kuajve të racës. Gjatë dy muajve të fundit, nga ferma e famshme gjermane e Lohndes pritet të vijë edhe gjinia e kundërt.

Ukaj ka vendosur të kultivojë këtë racë fisnike, e cila deri tash nuk është kultivuar në Ballkan, shkruan Telegrafi.

Kuajt e racës në botën shqiptare kanë një histori 64-vjeçare. Dy hamshorët e parë të racës gjakpastër arab, nga Bashkimi Sovjetik zbritën në Portin e Durrësit në mars të vitit 1953, kur u xhirua filmi “Skënderbeu”. Udhëheqja komuniste shqiptare, donte që aktori rus Akaki Horava, i cili luante rolin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, gjatë xhirimit të filmit duke kalëruar të dukej madhështor.

Në vitet gjashtëdhjetë, shqiptari që kishte pasion racën fisnike të kuajve, ishte shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Petrit Dume. Nga ferma e famshme sovjetike Tverskaja Konji Zavod, gjeneral Dume solli 36 hamshorë, kryesisht racën gjakthjeshtë anglez dhe ngriti fermën e njohur në Lazarat. Ferma u shkatërrua pas vitit 1975, kur diktatura shqiptare arrestoi gjeneral Dumen dhe oficerë tjerë të lartë të Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, të cilët u dënuan me vdekje në pushkatim.

Hamshori, të cilin më së shumti e adhuronte gjeneral Dume, quhej Kaprolli.

Edhe pas ekzekutimit të tij, ai quhej Kaprolli i Petrit Dumes. Disa vjet më vonë nga kinostudio “Shqipëria e re”, Kaprolli u përdor në disa pamje kur u xhirua filmi artistik “Pylli i lirisë”. /Telegrafi/