Një vit më parë triumfoi Lewis Hamilton, sukses që i dha edhe makinës gjermane Mercedes titullin kampion për konstruktorë, disa gara para përfundimit të kampionatit. Piloti britanik shpreson që kjo situatë të përsëritet edhe këtë të diel, teksa kërkon vijueshmëri në paraqitjet e tij, për të arritur tek titulli i dytë kampion radhazi.

“Në Japoni kisha një makinë të përkryer, ku gjithçka shkoi mjaft mirë. Shpresoj që edhe në Sochi të kem një makinë të tillë, për të kurorëzuar ëndrrën time, për të siguruar një tjetër titull kampion. Fitorja këtu do të thotë shumë për mua, pasi do të ishte një hap i madh drejt titullit”, u shpreh Hamilton, që në renditjen e përgjithshme ka 48 pikë avantazh ndaj shokut të skuadrës dhe ndjekësit më të afërt, Nico Rosberg.


Këtë sezon, Hamilton ka fituar 8 gara dhe sheh se mund të arrijë sërish tek titulli kampion. “Kryqëzoj gishtat që në Rusi të ndodhë e njëjta gjë si një vit më parë, ku zhvillova një garë të mirë dhe fitova. Jam gati për këtë sfidë, që është delikate dhe vjen në një moment të sezonit ku po kaloj një formë të mirë. Nuk më tremb sfida dhe rivaliteti, pasi e di që kam një makinë të shpejtë”, deklaroi piloti britanik, që ka mbërritur sot në Rusi. /Telegrafi/
 

telegrafi sport app