Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, ka thënë se procesi i rinumërimit të 1,407 vendvotimeve është duke shkuar mirë.

Halimi në një intervistë në  “Përballje ditore” në Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur për shpalljen e rezultateve përfundimtare pas këtij rinumërimi, për mundësinë e ankesave nga subjektet politike, për fletëvotimet e pavlefshme dhe votat e ardhura me postë.Ndër të tjera ai ka folur edhe problemin me votat e ardhura nga Serbia, të cilat u përfolën se mund të jenë të helmuara.

Ai ka thënë se në bazë të rinumërimit të tanishëm, shpallja e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)  do të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.

“Procesi i rinumërimit po shkon mirë, ashtu siç është paraparë. Në mënyrë që të kemi rezultate sa më të sakta ne po përcjellim një dinamik që është e kënaqshme dhe që ky proces të përfundojë në kohë optimale. Stërzgjatja është një lloj ngarkese sepse pret që t’i jepet zgjidhje formimit të institucioneve. Por, problem është që ne si shtet kemi proces të ndërlikuar zgjedhor, sepse kategori të shumta të votuesve kanë drejt të marrin pjesë, si votues jashtë vendit, votues me nevoja të veçanta, votues të burgosur. Janë rreth 60 për qind e kutive të rinumëruara nga 1,407. Llogaritet që edhe 40 për qind i bije që do të votohen  në ditët në vazhdim. Dhe koha optimale e shpalljes së rezultateve besoj që do të jetë fillimi i javës së ardhshme, ku ne do të dalim me rezultatet tona”, ka thënë ai.

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Enis Halimi, në një intervistë për Telegrafi.com

Halimi ka përmendur edhe mundësinë e ankesave pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, duke thënë se tani më janë shterur mundësitë që të bëhen prapë ankesa.

“Mendoj që me këtë rinumërim të madh sado që për ne është i panevojshëm, sepse sistemi ynë i ka detektuar defektet, si ato të formularit, dhe një mori pengesash tjera për disa kuti në sistem, të cilat ne vetë i kemi s’pastruar pa ndonjë kërkesë të subjekteve politike. Mirëpo në fillim të javës së ardhshme ne do të dalim me rezultate të reja dhe është normale të kemi ndonjë ankesë, sepse rinumërimi mund të prodhojë eventualisht ndonjë rezultat të ri që i  krijon mundësi ndokujt të ankohet. Por, mendoj që nuk ka më arsye për të bërë ankesa tjera sepse janë shteruar”, është shprehur ai.

Ndryshe sipas tij pasi të përfundoj puna e rinumërimit dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ, është çështje e institucioneve të tjera zinxhirore deri në certifikimin përfundimtar./Telegrafi/