LAJMI I FUNDIT:

Hajrullahu: Mosliberalizimi i vizave ka zbehur besimin e qytetarëve të Kosovës te BE-ja

Hajrullahu: Mosliberalizimi i vizave ka zbehur besimin e qytetarëve të Kosovës te BE-ja

Shtyrja e vazhdueshme e liberalizimit të vizave ka zbehur besimin e qytetarëve të Kosovës kundrejt Bashkimit Evropian. Kështu u shpreh kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Duke folur për Euronews Albania në lidhje me takimin e zhvilluar së fundmi në Bruksel mes udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesin e Politikës së Jashtme Josep Borrel, Hajrullahu tha se qytetarët e Kosovës kanë filluar ta shohin me skepticizëm BE-në, kjo pasi prej vitesh atyre nuk po u mundësohet lëvizja e lirë.


“Përkundër këtyre përpjekjeve të bukura [për dialog dhe paqe], fotove të bukura që po dalin atje, asgjë më shumë, asgjë konkrete, për ne në Kosovë prioritet mbetet lëvizja e lirë”, tha analisti politik.

Hajrullahu u shpreh se në Prishtinë pritet që gjërat të ndryshojnë dhe nëse nuk ndryshojnë shpejt skepticizmi mund të rritet edhe më shumë.

Në muajin qershor pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të takohen për të diskutuar sërish vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Hajrullahu komentoi situatën politike përpara këtij takimi dhe tha se “vështirë të pritet marrëveshje e shpejtë”.

“Ne s’kemi pasur marrëveshje këto dhjetë vitet e fundit dhe nuk besoj se do kemi marrëveshje finale të shpejtë, sidomos me BE-në pa SHBA, pa SHBA në tavolinë s’do kemi marrëveshje, pres përfshirjen e Uashingtonit dhe Presidentit Biden”, tha ai, duke kujtuar se administrata e Trump ishte e përfshirë direkt me një të dërguar të posaçëm Richard Grenell.

Muhamet Hajrullahu është i mendimit se trysnia pritet të rritet ndaj të dyja palëve teksa Kurti duket në pozita më të forta se udhëheqësit e shkuar të Kosovës pasi ka një shumicë të cilësuar në Kuvend.

Hajrullahu tha se për dialogun duhet të ketë transparencë për temat që do të diskutohen në Bruksel dhe nga ana e qeverisë Kurti ende nuk dihet nëse do të flitet për çështje ekonomike, për të pagjeturit, krimet e luftës apo për njohjen e shtetit.

Analisti nga Kosova e përshkroi situatën politike në Prishtinë në paradoks. Ai u shpreh se kur ishte në opozitë Vetëvendosje kundërshtonte “unifikimin e faktorit politik” për të qenë me pika të përbashkëta në dialogun me Serbinë, ndërsa tashmë duket e kundërta dhe PDK dhe LDK po mbajnë qëndrimin e Vetëvendosjes dikur.

“Një opozitë që e kemi parë njëherë”, tha Hajrullahu.