LAJMI I FUNDIT:

Grenell uron kremtën e Vidovdanit: I ngrit lartë “heronjtë” serbë

Grenell uron kremtën e Vidovdanit: I ngrit lartë “heronjtë” serbë
Foto: Arkiv

Serbët kanë festuar kremten e Vidovdanit që ndërlidhet me përvjetorin e 630-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

E, ish i dërguari i ish-presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka uruar serbët për Vidodvanin.


Në një shkrim në Twitter, ka thënë se sot është festë për dëshmorët serbë, pasi në këtë ditë në vitin 1389 filloi beteja kundër Osmanëve në Kosovë.

“Sot nderojmë heronjtë #Vidovdan. Në këtë ditë në 1389, filloi beteja kundër Osmanëve në #Kosovë. Sot është një ditë përkujtimore për Shën Princin Lazar dhe dëshmorët e shenjtë serbët”, shkroi Grenell.

Ndërkaq, gjatë kësaj feste pati arrestime të serbëve nga Policia e Kosovës.

Sipas policisë në bazë të të dhënave nga terreni ka regjistruar rreth 2000 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, me rastin e festës me karakter religjioz të quajtur ‘Vidovdani’.

Policia jep detaje për organizimin e serbëve në Gazimestan: U gjeten thika e boks hekuri
Lexo po ashtu Policia jep detaje për organizimin e serbëve në Gazimestan: U gjeten thika e boks hekuri

Gjatë manifestimit zyrtarët policorë kanë vërejtur disa pjesëmarrës të cilët kanë pasur të veshur fanella me mbishkrime provokuese, andaj me qëllim të shmangies së ndonjë keqkuptimi apo incidenti të mundshëm, fanellat e tilla të ekspozuara në automjete dhe të veshura iu janë larguar.

Po ashtu zyrtarët policorë të cilët kanë qenë të caktuar në lokacione të ndryshme, përfshirë pikat e kontrollit, gjatë kontrollit dhe verifikimit të tyre kanë gjetur dhe sekuestruar disa mjete të ndryshme të mprehta thika dhe një boks hekuri.

Lidhur me këtë, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë ka hapur rastet për  ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’.

Manifestimi ka përfunduar pa incidente madhore dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë në formën siç edhe kishin ardhur./Telegrafi.