Google merr me qira superkompjuterët e SpaceX për 920 milionë dollarë në muaj

Google ka bërë një marrëveshje me SpaceX për të marrë me qira kapacitetin kompjuterik të kompanisë. Për këtë marrëveshje, Google do të paguajë 920 milionë euro në muaj për 32 muaj.
Rolet janë përmbysur me këtë zhvillim, pasi vetëm pesë vjet më parë, ishte Google që pranoi të furnizonte burime kompjuterike për SpaceX për të ofruar shërbim interneti nëpërmjet satelitëve të saj Starlink.
Megjithatë, që kur SpaceX bleu xAI në shkurt të vitit 2026, të dyja në pronësi të Elon Musk, ajo tani operon disa qendra masive të të dhënave në SHBA, me një kapacitet total informatik prej mbi 2 GW, dhe 'SpaceX/AI' tani ka një vlerë të kombinuar të vlerësuar prej 1.25 trilion dollarësh.
Marrëveshja erdhi disa ditë para ofertës fillestare publike të planifikuar të SpaceX. Kompania njoftoi gjithashtu një marrëveshje të ngjashme me Anthropic në maj.
Kompania mëmë e Google, Alphabet, investoi në SpaceX në vitin 2015, kur kompania vlente vetëm 12 miliardë dollarë.
Sot, SpaceX po kërkon të dalë në bursë me një vlerësim prej mbi 1.75 trilion dollarësh.
Marrëveshja me Google pritet ta rrisë edhe më tej vlerësimin e ofertës fillestare publike (IPO).
“Ne besojmë se infrastruktura jonë kompjuterike dhe strategjia përkatëse na ofrojnë fleksibilitet të konsiderueshëm në mënyrën se si e ndajmë dhe monetizojmë kapacitetin”, tha SpaceX në dosjen e saj të ofertës publike fillestare (IPO) brenda seksionit të “marrëveshjeve të shërbimit kompjuterik me palët e treta”.
Sipas një dokumenti rregullator të paraqitur, Google do të përdorë 110,000 GPU, procesorë dhe komponentë memorieje Nvidia të vendosur në qendrat e të dhënave të SpaceX.
Koha e shfrytëzimit do të jetë midis tetorit 2026 dhe qershorit 2029.
Ndryshe, marrëveshja me Google shënon marrëveshjen e dytë të madhe të infrastrukturës të njoftuar nga SpaceX pas bashkimit me xAI. /Telegrafi/



































