Smart rikthehet te rrënjët - zbulohet modeli i ri elektrik me dy ulëse

Marka Smart ka publikuar fotografitë e para të modelit të ri Smart #2, një automjet tërësisht elektrik me dy ulëse, i cili shënon rikthimin e kompanisë te koncepti i makinës së vogël urbane.
Smart #2 është pasardhësi shpirtëror i modelit legjendar Fortwo dhe është projektuar për lëvizje në qytet, duke ruajtur dimensionet kompakte që kanë qenë simbol i markës. Automjeti ka gjatësi vetëm rreth 2.79 metra, ndërsa pritet të mbetet një nga makinat më të vogla elektrike në treg.
Fotografitë e para tregojnë një model ende me kamuflazh, i cili po kalon fazat përfundimtare të testimeve para prezantimit zyrtar. Smart ka njoftuar se premiera botërore pritet të zhvillohet në Sallonin e Automobilave në Paris, ndërsa modeli do të dalë në treg si një automjet plotësisht elektrik.
- YouTube www.youtube.com
Modeli i ri do të ndërtohet mbi arkitekturën elektrike Electric Compact Architecture (ECA), të zhvilluar posaçërisht për automjete shumë kompakte. Ai do të ruajë konfigurimin me dy vende dhe dy dyer, me rrota të vendosura afër skajeve të karrocerisë për manovrim më të mirë në hapësira të ngushta urbane.
Sipas të dhënave paraprake, Smart #2 synon një autonomi deri në rreth 300 kilometra, ndërsa do të sjellë teknologji moderne, siguri të përmirësuar dhe një brendësi të ridizajnuar. Dizajni i kabinës është zhvilluar nga ekipi i Mercedes-Benz, duke kombinuar prakticitetin me elemente moderne.
Me këtë model, Smart synon të rikthehet te rrënjët e veta – një makinë e vogël, ekonomike dhe ideale për qytet – pas disa vitesh ku marka u fokusua në modele më të mëdha si SUV elektrikë. /Telegrafi/





































