Audi po përgatitet për një ndryshim të rëndësishëm në gjeneratën e ardhshme të A3, me synimin për të rikthyer cilësinë e materialeve dhe ndjesinë premium që dikur e dallonte markën gjermane.

Pas ndërprerjes së A1 dhe Q2, A3 do të mbetet modeli hyrës i Audi-t me motor me djegie të brendshme. Kompania pritet të vazhdojë të ofrojë makina me motorë termikë edhe përtej vitit 2032, ndërsa puna për gjeneratën e pestë të A3 tashmë ka nisur.


Sipas shefit teknik të Audi-t, Rouven Mohr, modelet e ardhshme do të kenë materiale më cilësore, kontrolle më intuitive dhe më shumë vëmendje ndaj ndjesisë fizike të komandave, duke reduktuar varësinë nga ekranet.

Koncepti Concept C, i prezantuar në vitin 2025, konsiderohet si një pararendës i gjuhës së re të dizajnit të Audi-t. Elementet e tij pritet të shfaqen gradualisht edhe në modelet më të zakonshme, përfshirë A3, transmeton Telegrafi.

Audi ka pranuar se ambientet e brendshme të disa modeleve të fundit nuk kanë arritur standardet që konsumatorët kanë pritur tradicionalisht nga marka. Për këtë arsye, gjenerata e re e A3 pritet të rikthejë një kombinim më të balancuar mes ekraneve, butonave fizikë dhe materialeve premium.

Modeli i ri pritet të vazhdojë të përdorë platformën MQB dhe të ndajë bazën teknike me Volkswagen Golf dhe Skoda Octavia. Motorët me benzinë dhe versionet hibride pritet të kenë një rol kryesor, ndërsa e ardhmja e motorëve dizel në këtë segment mbetet e pasigurt.

Audi pritet të prezantojë fillimisht këtë filozofi të re me sedanin elektrik A4 E-Tron në vitin 2028, ndërsa gjenerata e re e A3 mund të vijë më vonë gjatë dekadës.

Pas vitesh kritikash për ekranet e shumta dhe uljen e cilësisë së kabinave, Audi duket se po përgatitet të rikthejë atë që dikur e bënte një Audi të ndihej si një makinë premium – edhe kur ishte modeli më i lirë i gamës. /Telegrafi/