LAJMI I FUNDIT:

Gjuriq: Vendosja e taksës, ekonomisë së Serbisë i ka kushtuar 500 milionë euro

Gjuriq: Vendosja e taksës, ekonomisë së Serbisë i ka kushtuar 500 milionë euro

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë sot se vendosja e taksës nga Qeveria e Kosovës, i ka kushtuar ekonomisë së Serbisë dëme prej më shumë se 500 milionë euro në vit.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Gjuriq, gjatë një konference për shtyp ka thënë se deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se një dëm i tillë arrin në vetëm disa miliona është e pavërtetë.


“Përpjekjet për të zvogëluar dëmin për të pakësuar presionin që Prishtina vuan nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nuk janë asgjë më shumë se një shtrembërim i realitetit”, citohet të ketë thënë Gjuriq.

Ai, siç shtohet tutje, ka thënë se Thaçi dhe përfaqësues të tjerë të Prishtinës duhet që në vend se të zvogëlojnë dëmin, të ofrojnë një përgjigje për pyetjen se kush ishte përgjegjës për kontrabandë në territorin e Kosovës.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe është vendim i drejt dhe legjitim nga institucionet e Kosovës.

Gjithsesi, ai kishte pranuar se këto produkte po hyjnë në Kosovë edhe përmes rrugëve tjera.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk është shumë i shqetësuar për vendosjen e taksës sepse mallrat serbe po futen në Kosovë dhe nga Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia por edhe në formë të kontrabandës në për fat të keq”, ka thënë ai për mediat në Kosovë, pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

“Ai humb disa miliona euro, por ka fituar një reputacion në kuptimin e imazhit se si Serbisë gjoja po i ndodh një padrejtësi – sillen si viktima”.

“Taksa vendim i drejt dhe duhet të mbetet në fuqi. Unë e kam përkrahur këtë ide nga fillimi. As s’kam bërë thirrje për pezullim, as për heqje – është gënjeshtër e kulluar”, kishte thënë Thaçi. /Telegrafi/