LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka që dimë deri më tani për trazirat në Los Angeles

Gjithçka që dimë deri më tani për trazirat në Los Angeles

Dhjetëra persona janë arrestuar në Los Angeles pas disa ditësh protestash të dhunshme, të cilat shpërthyen pas bastisjeve të autoriteteve të emigracionit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur 2000 trupa të Gardës Kombëtare në qytet, duke shkaktuar një përplasje politike. Gjersa do të dërgohen edhe 700 marsina amerikane.

Pentagoni do të dërgojë 700 marinsa në Los Angeles - vazhdon situatë kritike në qytetin e Hollywoodit
Lexo po ashtu Pentagoni do të dërgojë 700 marinsa në Los Angeles - vazhdon situatë kritike në qytetin e Hollywoodit

Ai gjithashtu dënoi atë që e quajti “tufa të dhunshme kryengritësish”.


Mjete janë djegur dhe janë raportuar raste grabitjesh në zonat e prekura të qytetit të dytë më të madh në SHBA.

Pse po protestojnë njerëzit në Los Angeles?

Protestat nisën të premten, pasi doli se oficerët e Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave (ICE) po kryenin bastisje në zona të qytetit me popullsi të konsiderueshme latine.

Bastisjet janë shtuar që kur 78-vjeçari u rikthye në Shtëpinë e Bardhë dhe premtoi masa të ashpra kundër imigracionit të paligjshëm, transmeton Telegrafi.

Trump për protestat në Los Angeles: Menjëherë, arrestoni njerëzit me maska!
Lexo po ashtu Trump për protestat në Los Angeles: Menjëherë, arrestoni njerëzit me maska!

CBS News raportoi se operacionet e fundit janë zhvilluar në lagjen Westlake si dhe në Paramount, në jug të Los Angelesit – ku mbi 82 për qind e popullsisë është hispanike.

U raportua gjithashtu për një bastisje të ICE në një dyqan të “Home Depo” në Paramount, por zyrtarët thanë për BBC-në se këto informacione ishin të pasakta.

ICE më vonë i tha CBS-së se 44 emigrantë të paautorizuar u arrestuan në një operacion të vetëm në një vend pune të premten.

Po atë ditë, edhe 77 persona të tjerë u arrestuan në zonën më të gjerë të qytetit të Hollywoodit.

Ku po zhvillohen protestat dhe çfarë ka ndodhur?

Protestat janë përqendruar kryesisht në qendër të Los Angeles, e cila është shpallur nga policia si zonë “mbledhjeje e paligjshme” pas disa ditësh përleshjesh.

Të dielën u dogjën automjete dhe policia akuzoi protestuesit se kanë përdorur mjete ndezëse kundër patrullave me kuaj. Ndërkohë, oficerët me pajisje për trazira përdorën granata shpërthyese dhe spërkatës me piper për të shpërndarë turmat. Trazirat bllokuan përkohësisht autostradën 101 dhe u raportuan raste grabitjeje.

Ndërtesa Federale në qendër të qytetit është kthyer në një pikë të nxehtë pasi u mësua se aty po mbaheshin të ndaluar nga ICE persona të arrestuar. Të shtunën, ICE akuzoi “mbi 1000 protestues” për rrethim dhe sulm ndaj ndërtesës.

Gazetarja australiane qëllohet me plumb gome ndërsa mbulonte protestat në Los Angeles - incidenti është kapur drejtpërdrejt nga kamera
Lexo po ashtu Gazetarja australiane qëllohet me plumb gome ndërsa mbulonte protestat në Los Angeles - incidenti është kapur drejtpërdrejt nga kamera

Një dyqan “Home Depo” në Paramount, rreth 32 km në jug të qendrës së Los Angelesit, është kthyer gjithashtu në një vend kryesor protestash. Gaz lotsjellës dhe granata shpërthyese u përdorën ndaj protestuesve që u mblodhën të shtunën, ndërsa trupa të armatosura të Gardës Kombëtare ruanin një park biznesi aty pranë të dielën.

Departamenti i Policisë së Los Angelesit (LAPD) njoftoi se bëri 29 arrestime të shtunën ndërsa 27 të tjerë u arrestuan të dielën.

Ndërkohë, rreth 60 persona u arrestuan dhe tre oficerë u plagosën pas trazirave në San Francisko, njoftoi policia.

Në pjesë të tjera të qytetit të madh të Los Angelesit, jeta vazhdon normalisht – dhe disa zona u mbyllën gjatë fundjavës për Paradën e Krenarisë.

Çka është Garda Kombëtare dhe pse Trump vendosi ta dërgojë në Los Angeles?

Të shtunën, Trump dërgoi 2000 anëtarë të Gardës Kombëtare në zonën e Los Angelesit, duke shkaktuar një përplasje politike me politikanët shtetërorë.

Garda Kombëtare funksionon si një entitet i përzier që shërben për interesat si shtetërore ashtu edhe federale. Zakonisht, forcat e një shteti aktivizohen me kërkesë të guvernatorit.

Trump anashkaloi këtë hap duke përdorur një ligj federal që rrallë përdoret gjersa ka argumentuar se protestat përbënin “një formë kryengritjeje kundër autoritetit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti amerikan dërgoi Gardën Kombëtare, pa pyetur Guvernatorin - kjo nuk kishte ndodhur në 60 vjetët e fundit
Lexo po ashtu Presidenti amerikan dërgoi Gardën Kombëtare, pa pyetur Guvernatorin - kjo nuk kishte ndodhur në 60 vjetët e fundit

Raportohet se kjo është hera e parë që Garda Kombëtare aktivizohet pa kërkesën e guvernatorit të shtetit që nga viti 1965.

Ky veprim është dënuar nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe kryetarja e bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, të cilët thanë se besonin se policia lokale mund të përballonte situatën.

Newsom akuzoi Trumpin për një akt “të paligjshëm” që po “hidhte benzinë në zjarr” dhe ka kërcënuar se do ta padisë.

Cilat janë agjencitë e tjera të përfshira?

Roli i Gardës Kombëtare është të mbrojë agjentët federalë, përfshirë personelin e ICE dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), ndërsa ata kryejnë detyrat e tyre.

Trupat nuk do të kryejnë bastisje për emigracion ose punë të rregullta policore – që mbeten përgjegjësi e Policisë së Los Angelesit (LAPD).

Ligji përgjithësisht ndalon përdorimin e trupave federalë për zbatimin e ligjit civil në territorin e brendshëm, përveç disa përjashtimeve si Ligji për Kryengritjen (Insurrection Act).

Kaos dhe panik në rrugë, shoferi 'shkon furishëm me makinë' drejt protestuesve në Los Angeles
Lexo po ashtu Kaos dhe panik në rrugë, shoferi 'shkon furishëm me makinë' drejt protestuesve në Los Angeles

Megjithëse Trump ka kërcënuar se do ta përdorë këtë ligj më parë, gjatë protestave Black Lives Matter në 2020, për shembull, ai nuk e ka përdorur tani.

Aleatët e Trumpit kanë mbrojtur vendimin e tij për të mobilizuar Gardën Kombëtare.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjithashtu tha se marinsat aktivë të SHBA-së të stacionuar në Camp Pendleton pranë do të dërgohen drejt qytetit të shtetit kalifornian.

Çfarë ka bërë ICE në Los Angeles?

Bastisjet e fundit janë pjesë e synimit të presidentit për të realizuar “operacionin më të madh të dëbimit” në historinë e SHBA-së. Los Angeles, ku mbi një e treta e popullsisë ka lindur jashtë SHBA-së, ka qenë një objektiv kryesor i operacioneve.

Në fillim të majit, ICE njoftoi se kishte arrestuar 239 migrantë pa dokumente gjatë një operacioni një-javor në zonën e LA-së, pasi numri i përgjithshëm i arrestimeve dhe dëbimeve ishte më i ulët se pritshmëritë e Trumpit.

Pamjet e arrestimeve të dhunshme në Los Angeles, vazhdojnë trazirat në qytetin amerikan
Lexo po ashtu Pamjet e arrestimeve të dhunshme në Los Angeles, vazhdojnë trazirat në qytetin amerikan

Në muajin pasues, Shtëpia e Bardhë rriti qëllimin që zyrtarët e ICE të kryenin të paktën 3000 arrestime në ditë.

Autoritetet kanë zgjeruar kërkimet duke përfshirë vende pune si restorante dhe dyqane.

Fushata ambicioze e dëbimeve përfshiu edhe transferimin e migrantëve në një mega-burg në El Salvador, përfshirë të paktën një person që ishte ligjërisht në SHBA. Shumë nga veprimet e Trump janë sfiduar në gjykata. /Telegrafi/