Gjini: Në Gjakovë janë përfunduar 33 akse rrugore, investime mbi 1.43 milion euro

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë përfunduar punimet në 33 akse rrugore, ndërsa ka njoftuar edhe për vazhdimin e disa projekteve të mëdha infrastrukturore në këtë komunë.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka thënë se projektet infrastrukturore janë pjesë e vizionit për transformimin e qytetit dhe zonave përreth.
“Sot, pranë kantiereve të projekteve infrastrukturore që po transformojnë Gjakovën, pikërisht ashtu siç e kemi vizionuar”, ka shkruar Gjini.
Sipas tij, gjatë këtij viti janë përfunduar ndërtimi dhe asfaltimi i 33 akseve rrugore, me mbi 10 kilometra rrugë të reja dhe investime që tejkalojnë 1.43 milion euro.
Ai ka bërë të ditur se punimet janë realizuar në fshatrat Moglicë, Firzë, Rakovinë, Kralan, Skivjan, Cërmjan, Sheremetaj, Dol dhe Gërgoc.
“Gjatë këtij viti është përfunduar ndërtimi dhe asfaltimi i 33 akseve rrugore, me mbi 10 kilometra rrugë të reja dhe investime që tejkalojnë 1.43 milion euro”, ka deklaruar kryetari i Gjakovës.
Gjini ka njoftuar gjithashtu se po vazhdojnë punimet në disa prej projekteve më të mëdha zhvillimore të komunës, me vlerë mbi 12 milionë euro.
Ndër projektet e përmendura janë Rruga Tranzite, Qendra e Biznesit, Stadiumi i Qytetit, rregullimi i shtretërve të lumenjve Krena dhe Llukac, ndërtimi i shtegut dhe urave në Shkukëz, si dhe ndërtimi i Liqenit.
“Kjo është Gjakova që po ndërtojmë çdo ditë. Me punë, projekte dhe vizion të qartë për të ardhmen”, ka shkruar Gjini. /Telegrafi/








































