Ndërsa gjiganti turk Fenerbahçe po numëron ditët deri në fund të kampionatit të Superligës, drejtuesit e klubit kanë nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm.

Sipas TGRT Haber, është planifikuar një operacion i madh me synim përmirësimin e disiplinës financiare dhe rritjen e cilësisë së skuadrës, ndërsa plot 17 lojtarë pritet të jenë në prag largimi.


Drejtuesit e Fenerbahçes po përgatiten të marrin vendime radikale në kuadër të ristrukturimit të ekipit. Mediat turke shkruajnë se në fund të sezonit pritet një “spastrim” i madh për të ulur numrin e lojtarëve dhe barrën financiare.

Qëllimi është të ruhet ekuilibri ekonomik dhe të ndërtohet një ekip më dinamik për sfidat e sezonit të ardhshëm, ashtu siç e pëlqen trajneri Domenico Tedesco.

Dy lista për largime

Sipas informacioneve jozyrtare, në klub janë hartuar dy lista. Në total bëhet fjalë për 17 lojtarë: një grup që pritet të largohet nga klubi, ndërsa për grupin tjetër do të merren parasysh ofertat e favorshme që mund të mbërrijnë.

Lista e lojtarëve që pritet të largohen me siguri thuhet se përmban edhe emra të rëndësishëm. Mes shtatë futbollistëve me të cilët klubi nuk llogarit më, pavarësisht nëse kanë qenë në huazim apo është vendosur ndërprerja e bashkëpunimit, përmenden: Sofyan Amrabat, Dominik Livaković, İrfan Can Kahveci, İrfan Can Eğribayat, Ognjen Mimović, Diego Carlos dhe Rodrigo Becao.

Edhe yje të tjerë në listën e largimeve

Megjithatë, operacioni nuk ndalet me kaq. Klubi thuhet se po planifikon të ndahet edhe nga disa lojtarë të tjerë në fund të sezonit, duke marrë në konsideratë performancën dhe vlerën e tyre në treg.

Në këtë listë përfshihen: Jayden Oosterwolde, Yigit Efe Demir, Çaglar Soyuncu, Edson Alvarez dhe Fred.

Ofertat priten për pesë lojtarë

Gjithashtu, raportohet se ka edhe një grup lojtarësh për të cilët priten oferta, pasi performanca e tyre nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar. Sipas mediave, bëhet fjalë për: Ederson, Semedo, A. Brown, Musaba dhe Oguz Aydın.

Me këto lëvizje, Fenerbahçe synon të krijojë një strukturë ekonomikisht të qëndrueshme dhe një ekip më ambicioz për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app