Gjiganti italian rivalizon Realin në garë për Konaten

Interi është klubi i fundit që i është bashkuar garës për mbrojtësin e Liverpoolit, Ibrahima Konate. Kontrata e 26-vjeçarit skadon më 30 qershor, ndërsa e ardhmja e tij mbetet e paqartë.
Prej muajsh, Liverpooli ka punuar për një zgjatje të kontratës, por lojtari ende nuk ka dhënë miratimin përfundimtar. Sipas raportimeve, palët janë ende larg një marrëveshjeje, kryesisht për arsye financiare.
Konaté beson se, bazuar në paraqitjet e tij të fundit, meriton të jetë ndër mbrojtësit më të paguar në Liga Premier. Nga ana tjetër, drejtuesit e “The Reds” i konsiderojnë kërkesat e tij të tepruara, çka ka bërë që qendërmbrojtësi të refuzojë ofertat e paraqitura deri më tani.
Situata e tij po ndiqet me vëmendje nga disa klube të mëdha evropiane. Sipas CaughtOffside, Interi do të ishte i gatshëm të përfitonte nga rasti për ta transferuar lojtarin me parametra zero.

“Nerazzurrët”, që aktualisht kryesojnë renditjen në Serie A, po planifikojnë përforcime në repartin defensiv për të mbetur konkurrues si në kampionat, ashtu edhe në Evropë. Transferimi i një lojtari të këtij niveli pa pagesë do të përfaqësonte një goditje të madhe në treg.
Në të kaluarën, interes konkret kishte shfaqur edhe Real Madrid, por së fundmi disa media raportuan se francezi nuk ishte prioritet në Madrid. Megjithatë, pasi janë mbyllur pista të tjera si ajo e Marc Guehi (i nënshkruar nga Manchester City) dhe Dayot Upamecano (i cili ka rinovuar me FC Bayern Munich), nuk përjashtohet mundësia që emri i Konate të rikthehet në listën e ngushtë të madrilenëve.
Me kontratën që po i afrohet fundit dhe negociatat e bllokuara, vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit francez. /Telegrafi/






















































