LAJMI I FUNDIT:

Gjetja e punëtorëve të kualifikuar, sfidë për bizneset

Gjetja e punëtorëve të kualifikuar, sfidë për bizneset

Edhe pse Kosova përballet me shkallë të lartë të papunësisë, gjetja e punëtorëve të kualifikuar mbetet ndër sfidat kryesore për bizneset në Kosovë.
Nga 100 biznese të anketuara, 43 për qind e tyre kanë potencuar sfidë kryesore gjetjen e stafit të kualifikuar.

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, Fadil Osmani dhe Safet Fazliu kjo ka ardhur në saje të mungesës së shkollave profesionale, cilësisë së dobët në arsim, rritjes së pagave në sektorin shtetëror, egos së të diplomuarve si dhe nivelit të remitencave.


Njohësi i çështjeve ekonomike, Fadil Osmani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se arsyeja e përballjes së ndërmarrjeve mikro me staf personal, ka të bëjë edhe me punësimet familjare pasi, sipas tij, për shkak të lojalitetit, biznesmenët punësojnë familjarë të cilët mund të mos jenë adekuatë për pozitat që bartin. “Kurse te niveli operativ kemi të bëjmë me mungesën e shkollave profesionale”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, mungesa e shkollave profesionale është një predispozitë që institucionet shtetërore duhet të mendojnë seriozisht në këtë drejtim, sidomos për shkollat profesionale që kanë të bëjnë me industri.

Ndërkaq drejtori i kompanisë “D&D Business Support Center”, Safet Fazliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se rezultati i hulumtimit të OEK-ut vetëm se ka konfirmuar një situatë reale me të cilën ballafaqohen bizneset.

Sipas tij, mungesa e stafit të specializuar është bërë barriera kryesore e të bërit biznes në Kosovë. “Kjo është një paradoks shumë interesant. Në njërën anë kemi një shkallë kaq të lartë të papunësisë, ndërsa në anën tjetër bizneset, respektivisht punëdhënësit, ballafaqohen me problemin e rekrutimit apo gjetjes së punëtorëve”, ka deklaruar Fazliu. /Epoka e Re/Telegrafi/