LAJMI I FUNDIT:

Gjermania do t’u bashkohet liderëve në veturat elektrike

Gjermania do t’u bashkohet liderëve në veturat elektrike

Vetura e ka tronditur shtetin e madh të veturave. Por gara për gjermanët nuk ka përfunduar, shkruan Auron Dodi.

Me deklarata të vendosura liderët politikë të Gjermanisë po përpiqen ta mbajnë në shina një diskutim që ka nisur në Gjermani për të ardhmen e industrisë veturave gjermane.


Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz mbrojti në panairin e veturave IAA 2023, që po mbahet në Mynih aftësinë konkurruese të veturave gjermane. “Aftësia konkurruese ndërkombëtare e industrisë veturave gjermane as diskutohet”, tha Scholz. Nuk është rastësi tha ai që pionieri i veturave elektrike, Tesla, e ndërtoi në Brandenburg fabrikën e saj. Ndërsa kryeministri bavarez Markus Söder tha se landi i tij federal ndihet i përkushtuar ndaj veturave. “Bavaria është një land veturave “, Vetura është “pjesë e ADN-së sonë bavareze”, tha ai.

Deklaratat bëhen në sfondin e diskutimeve që zhvillohen këto kohë në publik me të cilat industrisë gjermane të veturave i parashikohet rrënimi. Sipas disa kritikëve ajo ka një prapambetje të pariparueshme te veturat elektrike. Shfaqja me vetëbesim të madh, për herë të parë masivisht, në Panairin e Veturave në Mynih e prodhuesve kinezë të veturave elektrike (me 70 firma) i ka nxitur kritikët. Shoqatat e prodhuesve të veturave kërkojnë çmime energjie të përballueshme, më pak taksa e burokraci, që puna t’ia vlejë.

 IAA hapja

Motorit me djegie të brendshme i kanë vënë datë skadence

Diskutimi është i kuptueshëm, pasi Evropa dhe në këtë kuadër Gjermania po ndeshen me një konkurrencë me agresive se pritej nga industria kineze e veturave. Për Gjermaninë është në lojë e ardhmja e njërës nga industritë kyçe të vendit: pothuajse 1 milion vende pune në Gjermani varen sot drejtpërdrejt nga industria veturave. Mbi 3 milionë vetura (3.096.165) u prodhuan në Gjermani, sipas të dhënave të fundit në dispozicion (2021) (për krahasim Franca (918.000), Britania e Madhe (859.575) prodhuan në të njëjtën kohë më pak se një milionë vetura secila). Kjo shifër për Gjermaninë është megjithatë larg shifrës rekord të vitit 2016, kur u prodhuan pothuajse 6 milionë vetura (5.746.808).

Prodhimi zotërohet nga kompanitë e Volkswagenit- kompania më e madhe e veturave në botë – nga Daimler e nga BMW, si dhe shoqëritë amerikane dhe franceze, Ford dhe Opel.

Gjermanët dhe evropianët e tjerë e shohin veten nën presion edhe sepse motorit me djegie të brendshme i kanë vënë datë skadence. Vetura të reja, thjesht me motor me djegie mund të shiten në BE vetëm deri në vitin 2035, pra edhe 12 vjet. (Me këmbënguljen e Gjermanisë dhe Italisë KE pritet ta zgjasë këtë afat për veturat që funksionojnë me karburante të prodhuara me karbon të kapur nga atmosfera dhe hidrogjen të kapur nga energjia elektrike e ripërtëritshme).

IAA 2023

Tre sfidat e industrisë gjermane të veturave

Industria veturave në Gjermani ndodhet para tre sfidave: ndryshimit të klimës, që solli vendimin për veturat elektrike; ndryshimit teknologjik dhe rritjes së konkurrencës së përbotshme.

Është fakt që shpikësja e veturës, Gjermania i konstatoi me vonesë përparësitë e veturave elektrike. Sukseset e jashtëzakonshme në shitjen e veturave me motorë me djegie të brendshme ndoshta i përkundën në siguri të gabuar prodhuesit gjermanë të veturave. Me guxim Tesla amerikane hapi rrugë të reja me veturat e saj elektrike. Prodhuesit kinezë të veturave shfrytëzuan gjithashtu shansin që u ofroi ndryshimi teknologjik.

Në veturat me motor me djegie, për të cilat janë të famshëm inxhinierët gjermanë, kinezët nuk u bënë asnjëherë konkurrentë seriozë. Veturat elektrike nga ana tjetër janë teknikisht më të thjeshta. Me sponsorizim të madh nga qeveria, ndërtuesit kinezë investuan herët në teknikën e veturave elektrike dhe në rrjetëzimin e tyre. Në prill të këtij viti, në panairin e veturave në Shangai, gjermanët panë me admirim sa kishte përparuar Kina në tre vitet e mbylljes së pandemisë.

Prodhuesi kinez BYD

Gara për gjermanët nuk ka përfunduar

Me gjithë presionin nga konkurrenca, gara për industrinë gjermane të veturave nuk është e humbur. Dhe kjo për shumë arsye.

Industria gjermane e veturave ka kapërcyer tashmë disa kriza në 100 vitet e fundit. Në vitet ’70-’80 ajo reagoi ndaj krizës së naftës duke ndërtuar vetura më kursimtare; krizën ekonomike në fillim të viteve ’90 kompanitë gjermane si VW e përballuan me model të ri të kohës së punës (javë me katër ditë); krizën financiare të 2008-ës, kompanitë e veturave e përballuan me ndihmë nga shteti: kompensim për punë me orar të reduktuar, kompensim për blerjen e një veture të re dhe për dërgimin për skrap të veturave të vjetra.

Sfidat aktuale konsiderohen prej disave ekzistenciale. Aftësitë e inxhinierëve gjermanë tradicionalisht janë veçanërisht të shquara në ndërtimin e motorëve me djegie, të karoserive, në mekanikën e veturës dhe në lehtësinë e përdorimit të veturave.

Zemra e veturave sot megjithatë është programi kompjuterik që e drejton veturën, softueri. Veturat e sotme elektrike janë „platforma të dhënash me rrota.” Pjesët kryesorë të veturës elektrike sot janë bateria, motori elektrik, elektronika e energjisë së veturës, karikuesi i veturës elektrike.

Automobili elektrik e ka tronditur shtetin e madh të automobilëve. Por gara për gjermanët nuk ka përfunduar, shkruan Auron Dodi.

Përparësitë e Gjermanisë si vend i prodhimit të veturave

Prodhuesit gjermanë të veturave, me gjithë vonesën, ka vite që e kanë nisur kursin për të kapur liderët botërorë, Teslan dhe të tjerët: Volkswagen dhe Audi, Daimler dhe BMW kanë investuar prej vitesh me miliarda euro për tranzicionin në elektromobilitet.

Gjermaninë e mbështesin në tranzicion tradita e gjatë e ndërtimit të veturave, rrjeti i furnizuesve kompetentë dhe mbi të gjitha, formimi profesional i shkëlqyer i punonjësve. Prej fundit të shekullit të 19-të, Gjermania është gjithashtu lidere botërore në prodhimin dhe eksportin e pajisjeve elektrike dhe elektronike.

Ende Gjermania është një vend i madh veturash, për ta shprehur me fjalët e një përfaqësuesi kinez në panairin e Mynihut. Të paktën 64% të veturave që prodhon Gjermania i eksporton.

Shifrat e prodhimit të veturave elektrike janë gjithashtu domethënëse: gjysma e veturave elektrike që shiten sot në Evropë prodhohen në Gjermani (këtu përfshihet edhe prodhimi i Teslas). Për sa i përket veturave elektrike të regjistruara në Gjermani, në gusht Volkswageni ia kaloi Teslas (mbi 41.000 vetura përballë 38.000 vetura).

Automobili elektrik e ka tronditur shtetin e madh të automobilëve. Por gara për gjermanët nuk ka përfunduar, shkruan Auron Dodi.

Pozicioni teknologjik i industrisë gjermane të veturave

Studime të ndryshme kanë konstatuar se deri pak vite më parë (2017) ndërtuesit gjermanë të veturave kanë zotëruar 20 për qind të tregut për shitjen e veturave elektrike, ashtu si me veturat konvencionale. Kurse në veturat hibride, pra në veturat elektrike si me bateri, ashtu edhe me motor me djegie, gjermanët kanë zotëruar 40% të tregut.

Në patentat për bateritë për veturat elektrike, Gjermania është nga lojtarët kryesorë globalë, 10-15 për qind e patentave për këto bateri i kanë gjermanët. Dobësi ka në prodhimin e celulave të baterive, për shkak të lëndëve të para. Për këto gjermanët kanë nisur bashkëpunime me amerikanët.

Gjermanët zotërojnë shumë patenta edhe për elektronikën e energjisë së veturat dhe për karikuesit e veturave elektrike. Edhe për sa i përket prodhimit dhe eksportit të motorëve elektrikë gjermanët kanë pozicion të mirë.

Disa modele veturash elektrike gjermane konkurrojnë tashmë me sukses në tregun botëror. Audi e-Tron, Mercedes EQS, Porsche Taycan, Volkswageni me Enyaq të Skodas, janë modelet më të suksesshme. Në shifra: në vitin 2023, 20% e veturave që eksporton Gjermania janë vetura elektrike.

Për sa i përket softuerit së veturave, BMW ka ndërtuar programin e saj BMW OS7, Daimler MB. OS kurse VW sistemin VW.OS. Pritet të shihet sa shpejt do ta përballojnë sistemet gjermane konkurrencën e TESLA-s, por edhe të sistemeve kineze.

audi

Aftësi krijuese konkurruese të inxhinierëve gjermanë

Inxhinierët gjermanë shquhen për kreativitet. Në një vlerësim sasior dhe cilësor të 29 kompanive botërore veturave dhe 90 markave, që u bë sivjet nga Center of Automotive Management (CAM), si kompani kryesojnë gjermanët për risitë, të pasuar nga kinezët. Është fjala për risi teknike në veturë që përmirësojnë ndjeshëm përfitimin e klientit në krahasim me të kaluarën, risi në motorët elektrikë, në udhëtimet autonome, në konektivitet.

Grupi i Volkswagenit dhe Daimler zënë vendin e parë e të dytë, me përkatësisht 160 dhe 145 risi teknike. Pasohen nga dy kompani kineze. BMW vjen në vend të 7-të me 90 risi.

Platforma të përbashkëta prodhimi me amerikanët dhe kinezët

Veç aftësivë që zotërojnë, për të konkuruar në këtë fushë, inxhinierët gjermanë të kompani po ndërtojnë platforma të përbashkëta prodhimi me amerikanët dhe kinezët.

Për të prodhuar bateritë e veturave, BMW ka planifikuar të ngrejë në Gjermani një fabrikë me zhvilluesen amerikane të baterive, Solid Power. Volkswageni është sponsori kryesor i startup-it të Silicon Valley-t QuantumScape, që po ndërton prototipe baterish moderne për kompaninë gjerman.

Kompania Volkswagen do të përdorë platformat e veturave të prodhuesit kinez të veturave Xpeng për produktet e tij. BMW po zhvillon me kompaninë kineze Muri i Madh platformën për veturat më të vogla elektrike Mini Cooper S. Daimler prodhimin e veturave më të vogla SMART ia ka lënë kompanisë kinez Geely.

Renault Scenic

Veturat elektrike pak të përhapura

Infrastruktura për ngarkimin e veturave elektrike është vendimtare që veturat elektrike të përhapen më shpejt në Gjermani dhe në Evropë. Elementi i dytë është shpejtësia e ngarkimit të veturës elektrike. Të dyja këto probleme qeveria gjermane ka vendosur t’i mënjanojë.

Javët e ardhshme Gjermania do të miratojë një ligj, që i detyron pronarët e pikave të karburantit të instalojnë ngarkues të shpejtë për veturat elektrike, me të paktën 150 kilovat. 1 milionë pika ngarkimi do të ngrihen deri në vitin 2030. Aktualisht në Gjermani ka mbi 90.000 pika ngarkimi publike dhe 700.000 private. Banka Gjermane për Zhvillimin do t’i subvencionojë me kredi pikat private të ngarkimit, në kombinim me panelet djellore dhe ruajtësit e energjisë.

Edhe vetë kompanitë e veturave, VW, Mercedes-Benz, BMW, Ford dhe Hyundai me një operator të posaçëm (Ionity) do të ndërtojnë pika të ngarkimit të shpejtë për veturat elektrike.

Gjermanët po tregojnë interes edhe për përdorimin e hidrogjenit në industrinë veturave. Ata janë bashkuar me evropianë të tjerë dhe eksperimentet e para janë premtuese.

Marrëdhënia e veçantë e gjermanëve me veturën

Në botë, veturat gjermanë i çmojnë lart për fuqinë, për shpejtësinë dhe rezistencën e tyre. Epiteti “dragoj fluturues” i ka shoqëruar rregullisht këto vepra arti të inxhinierëve gjermanë.

Kurse në Gjermani, për vendasit Vetura është një mit, ai është simbol i lirisë, i pavarësisë. Këto përcaktime gjermanët i lidhin me veturat konvencionale dhe jo me ata elektrikë.

Vetura është për gjermanët më tej një objekt i çmuar me vlerë, jo thjesht një objekt përdorimi, si shihet ai p.sh. nga fqinjët francezë. Me markën dhe klasën e veturës shumë gjermanë lidhin edhe statusin shoqëror.

Aktiviste te Greenpeace

Ndonëse kjo traditë po lëkundet disi në brezin më të ri, që preferon për lëvizshmëri edhe mjete më miqësore ndaj ambientit, si biçikletat (elektrike), skuterat elektrikë, gjermanët janë larg braktisjes së veturës.

Gara për çmimin

Gara sot bëhet për çmimin e veturave elektrike. Përparësi e veturave kineze është çmimi i tyre i ulët (edhe në sajë të sponsorizimit të prodhimit nga qeveria kineze): ato kushtojnë mesatarisht rreth 40% më pak se veturat gjermane. Kjo lidhet edhe me faktin se kinezët ofrojnë mjaft vetura të vogla dhe të mesme. Veturat elektrike gjermane janë kryesisht luksoze, megjithëse portofoli i prodhuesve gjermanë po zgjerohet me modele të reja.

Industria gjermane e veturave ka arritur gjëra të jashtëzakonshme në 100 vitet e fundit. Baza që gjermanët ta vazhdojnë edhe në këtë fushë këtë histori suksesi teknologjik ekziston. Në epokën e individualistëve, në segmentin e veturave luksoze elektrike gjermanët kanë një pozicion të fortë, përballë “brumit uniformë” të gjithë të tjerëve. /DW/