LAJMI I FUNDIT:

Gjermania ‘sytë’ nga energjia e ripërtërishme, pritet të përbëjë rreth gjysmën e konsumit

Gjermania ‘sytë’ nga energjia e ripërtërishme, pritet të përbëjë rreth gjysmën e konsumit
Foto: Ilustrim

Prodhimi i energjisë së ripërtërishme në Gjermani shënoi rritje në vitin 2022, por gjithsesi mbetet ende nën pragun e nevojshëm për të arritur objektivin e gjenerimit të 80 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030.

Kjo lloj energjie pritet të përbëjë rreth 46 për qind të konsumit të energjisë në vend këtë vit nga 41 për qind që ishte një vit më parë.


Rreth 256 Terawatt orë u gjeneruan vitin e kaluar, kryesisht nga energjia e erës dhe ajo diellore, me një rritje prej 9 për qind nga viti në vit, por ende nën objektivin prej 269 Terawatt për vit, në mënyrë që të arrihet objektivi prej 600 Terawatt në 2030-në.

Me synimin e qartë për t’u bërë një vend neutral ndaj karbonit deri në vitin 2045, Berlini, rriti objektivat e tij të energjisë së ripërtërishme këtë vit dhe miratoi disa projektligje për të lehtësuar kufizimet dhe për të përshpejtuar përhapjen e energjisë së erës dhe diellit.

Domosdoshmëria për burime të rinovueshme u bë gjithnjë e më urgjente me reduktimin e importeve ruse të karburanteve fosile në ekonominë më të madhe të Evropës, pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Era ka gjeneruar gjithsej 128 Terawatt këtë vit, nga të cilat 103 Terawatt erdhën nga turbinat e erës në tokë, por prodhimi nuk mundi të arrinte vlerën maksimale të mëparshme të vitit 2020 për shkak të instalimeve të reja.

Vetëm rreth 0.8 për qind e tokës në Gjermani është caktuar aktualisht për energjinë e erës. Berlini në fillim të këtij viti hartoi një projektligj që përcakton një përqindje minimale të tokës në secilin nga 16 shtetet federale që duhet të jetë e disponueshme për fernat me erë. Prodhimi i energjisë fotovoltaike u rrit me 23 për qind në vitin 2022 nga viti në vit në 61 Terawatt. Kjo për shkak të instalimeve në rritje por dhe motit me diell. /Telegrafi/