LAJMI I FUNDIT:

Gjermania po rikthen kontrollet në pikat kufitare me Poloninë dhe Çekinë

Gjermania po rikthen kontrollet në pikat kufitare me Poloninë dhe Çekinë

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser tani po bën thirrje për kontrolle të plota afatshkurtra të sigurisë në kufirin me Çekinë dhe Poloninë për të adresuar çështjen e migracionit.

Qëndrimi i Faeser u zbulua në një intervistë me welt.de, duke treguar një ndryshim në qasjen e Gjermanisë ndaj kontrollit kufitar.


Faeser thekson se këto kontrolle afatshkurtra do të shërbenin si një masë vendimtare për të luftuar kontrabandistët që shfrytëzojnë kufijtë e hapur midis Gjermanisë dhe vendeve fqinje.

Më parë, Faeser ka qenë kundër idesë së kontrolleve të plota në kufirin me Çekinë dhe Poloninë, duke i konsideruar ato joefektive. Gjatë debateve në fillim të kësaj vere në Bundestag, ajo kishte mbrojtur indenë e kontrolleve të rastësishme dhe kërkimeve të fshehta si opsione më të zbatueshme.

Megjithatë, në intervistën më të fundit me Welt am Sonntag, e cila do të shfaqet në edicionin e së dielës të gazetës, Faeser propozon kontrolle të plota si dhe vendosjen e oficerëve të policisë gjermane në territorin çek, duke u frymëzuar nga modeli zviceran ku një bashkëpunim i tillë tashmë është zbatuar. Ajo bëri të ditur se negociatat për këtë çështje tashmë janë duke u zhvilluar.

Për më tepër, Faeser njoftoi një grup pune të përbashkët çeko-gjerman, që synon të intensifikojë përpjekjet për të luftuar kontrabandën e njerëzve. Ky bashkëpunim do të përfshinte regjistrimin e përbashkët të kontrabandistëve të njerëzve dhe shkëmbimin e ndërsjellë të informacionit të rëndësishëm të sigurisë, së bashku me zgjerimin dhe intensifikimin e patrullimeve të përbashkëta.

Ministri i Brendshëm çek, Vít Rakusan konfirmoi këtë bashkëpunim, duke theksuar fokusin në trajtimin e kontrabandës me njerëz. Ai siguroi se qeveria gjermane nuk kishte ndërmend të rifuste kontrolle të përhershme në kufirin çeko-gjerman, duke sinjalizuar një qasje bashkëpunuese për sigurinë kufitare.

Gjermania ka marrë rreth 200 mijë kërkesa për azil deri në fund të gushtit, me parashikimet që sugjerojnë se ky numër mund të arrijë në 400 mijë deri në fund të vitit. /Telegrafi/