LAJMI I FUNDIT:

Gjermania kundër SHBA-ve rreth tubacionit të gazit “Nord Stream II”

Gjermania kundër SHBA-ve rreth tubacionit të gazit “Nord Stream II”

Qeveria gjermane ka ofruar 1 miliard euro për të ndërtuar dy terminale të gazit të lëngshëm për të shmangur sanksionet e SHBA-së mbi tubacionin “Nord Stream II”, i cili do të transportonte gaz nga Rusia drejtpërdrejt në Gjermani, raportoi të mërkurën gazeta gjermane Die Zeit.

Ministri gjerman, Olaf Scholz bëri një propozim të tillë në një letër të datës 7 gusht, para se Uashingtoni të vendoste sanksione ndaj kompanive të përfshira në ndërtimin e tubacionit nën Detin Baltik. Kështu, ndërtimi i tij është “de facto” i ngrirë, shkruan e përjavshmja gjermane.

Një zëdhënës i ministrisë gjermane të financave tha se nuk mund të komentonte mbi raportet individuale të mediave, transmeton Telegrafi.

Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende evropiane e kundërshtojnë me forcë tubacionin, duke argumentuar se kjo do të rrisë varësinë e Evropës nga gazi rus dhe do të privojë vendet e transitit si Polonia dhe Ukraina nga ndikimi mbi fqinjin e saj të madh lindor.

Nga ana tjetër, SHBA-të janë të pasura me energji, falë rritjes së fortë të prodhimit të gazit argjilor dhe duan të rrisin eksportet e tyre, përfshirë Gjermaninë, industria e fuqishme e së cilës varet shumë nga importet, veçanërisht nga Rusia.

Në një letër drejtuar Sekretarit të Thesarit të SHBA-ve, Steven Mnuchin, në të cilën Die Zeit kishte qasje, Scholz u zotua të siguronte një miliard euro për të ndërtuar një terminal LNG nëse Uashingtoni heq dorë nga sanksionet ndaj kompanive.

Terminalet do të ndërtoheshin në dy vende në bregdetin e Detit të Veriut. Propozimi u bë para helmimit të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, i cili tani po shërohet në një spital në Berlin. /Telegrafi/