LAJMI I FUNDIT:

Gjermania dhe Indo-Paqësori

Gjermania dhe Indo-Paqësori

Gjermania është një aktor i rëndësishëm tej hapësirës politike Evropiane, ku angazhimi dhe përfshirja e së njëjtës në rajonin e Indo-Paqësorit mbetet e rëndësishme në koherencë me zhvillimet e reja gjeopolitike.

Angazhimi politik i Gjermanisë në këtë rajon vlerësohet jo vetëm në nivel marrëdhëniesh ndërshtetërore që vendi ndërton dhe konsolidon me aktorë përkatës në Indo-Paqësor, por gjithashtu dhe në nivel Evropian ku angazhimi i Francës dhe Gjermanisë mund të identifikojnë praninë politike të Bashkimit Evropian në Rajon.


Ngjarjet e ndodhura në fillim-vitin 2022 përkatësisht me sulmin Rus ndaj tërësisë territoriale të Ukrainës, inkurajuan ndryshime thelbësore në drejtimin e politikës së Jashtme të vendeve të ndryshme, duke tejkaluar hapësirat aktuale politike, ku spikaste zëri i aktorëve të ndryshëm politikë, përkatësisht si Gjermania në tërësinë e jetës institucionale-politike të Bashkimit Evropian.

Përtej zërit politik thelbësisht vendimmarrës në Bashkimin Evropian, vëmendja e Gjermanisë është rritur në Rajonin e Indo-Paqësorit, përkatësisht me takimet në nivel dypalësh me Kryeministrin e Indisë, Modi apo dhe të njëjtin e Australisë, Albanese, marrëdhëniet në konsolidim me një vend të G-20 si Indonezia , marrëdhëniet me Korenë e Jugut apo dhe në stërvitjet e përbashkëta ushtarake si me Japoninë apo dhe në nivel të disa shteteve pjesëmarrëse, gjithashtu.

Thelbi i vëmendjes së shtuar politike Gjermane në rajonin e Indo-Paqësorit përcillet në mesazhin e deklaratës së Ministres së Jashtme të Gjermanisë, e njëjta theksoi qartësisht që marrëdhëniet e secilit prej shteteve të BE-së dhe Unionit në tërësi nuk duhet të jenë në varësi të marrëdhënies me Kinën, por të zgjerohet bashkëpunimi me aktorë varësisht hapësirës gjeografike. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock theksoi si vijon: “Si partnerë evropianë, ne tashmë e kemi bërë të qartë se duhet të largojmë rrezikun në marrëdhëniet tona me Kinën. Kjo nuk do të thotë shkëputje nga Kina, por ne duhet të reduktojmë varësitë e njëanshme duke pasur parasysh sigurinë tonë dhe gjithashtu të adresojmë shqetësimet tona të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë në mbarë botën”. Në të njëjtën kohë, ministrja e Jashtme Gjermane, në frymën politike të deklaratës së mësipërme nënvizoi nevojën politike të inkurajimit të tezës së rritjes së “bashkëpunimit dhe partnerit politik” përtej hapësirës dhe largësisë gjeografike përkatësisht e shprehur në vizitat zyrtare të mbajtura më Gusht 2023, në Australi dhe Zelandën e Re, gjithashtu. Ministrja Baerbock do të theksonte si vijon: “Gjeografikisht, ne mund të jemi në anën tjetër të globit, por vlerat tona të përbashkëta dhe pikëpamja e përbashkët e botës na lidhin ngushtë” dhe vijoi shprehjen e detajimit të vizionit Gjerman mbi bashkëpunimet e ridimensionuara politike si më poshtë: “Ne mund të mbështetemi te njëri-tjetri si fqinjë të ngushtë, të mësojmë nga njëri-tjetri si miq të mirë dhe të mbështesim njëri-tjetrin si partnerë strategjikë”.

Vizita e ministres së Jashtme në dy nga vendet pjesëmarrëse në statusin e të ftuarit në samitet e Aleancës së Atlantikut të Veriut pasohet nga vizitat dhe takimet në nivele Kryeministrore dhe Presidenciale, përkatësisht të kancelarit Scholz gjatë viteve 2022-2023 , si qëllim i ridimensionimit të një përgjigje politike të përbashkët jo vetëm ndaj konfliktit në Ukrainë, por gjithashtu dhe ndaj tendencave penguese të Kinës si shkak i një politike jo pro-aktive të Perëndimit në funksion të aleancave të reja.

Prania Gjermane në rajonin e Indo-Paqësorit nuk parashikohet thjeshtë në nivel politik, por dhe në të tillin ushtarak ku deklarata e Ministrit të Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius mbi vendosjen e dy anijeve luftarake në Paqësor gjatë vitit 2024, një angazhim në kuadër të sfidave të përbashkëta të sigurisë duke mos nënkuptuar kurrfarë sinjali paralajmërues ndaj asnjë aktori politik përfshirë dhe Kinën. Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Pistorius, u shpreh si vijon: “Për këtë qëllim, Gjermania dërgoi një fregatë në Indo-Paqësor në vitin 2021 dhe sërish në vitin 2024, do të dislokojë 2 anije luftarake”. Në të njëjtën kohë, i njëjti theksoi mbi nevojën e një bashkëpunimi në mbrojtje të rendit ndërkombëtar duke qartësuar: “Përkundrazi, qëllimi është për mbrojtur rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, dhe nga i cili të gjithë ne duhet të përfitojmë, qoftë në Mesdhe, në Gjirin e Bengalit apo në Detin e Kinës Jugore“.

Në të njëjtën frymë me deklaratën e mësipërme, ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë paraqiti thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me dy vende të rëndësishme në Indo-Paqësor si India dhe Indonezia. Bashkëpunimi politik në fushën e mbrojtjes me Indinë inkurajohet përmes kufizimit të varësisë mbi furnizimin me armë të Indisë nga Rusia përmes një rritje të ndihmës Gjermane në këtë kontekst, por dhe duke inkurajuar një bashkërendim të aleatëve perëndimorë në ndihmë të vendeve të quajtur si “partnerë të besueshëm” për të shmangur dhe zvogëluar secilën formë varësie nga aktorë si Rusia apo Kina. Në kontekstin e marrëdhënies me Indinë, Pistorius theksoi: “Është një problem që duhet ta zgjidhim së bashku me partnerët tanë. Por, sigurisht, në plan afatgjatë, ne nuk mund të kemi interes ta bëjmë Indinë kaq të varur nga Rusia për furnizime me armë dhe materiale të tjera”.

Indonezia është aktori politik i konsideruar në radhën e “partnerëve të besueshëm” duke theksuar mbështetjen Gjermane deri në dërgimin e nëndetëseve, por duke theksuar qartësisht vokacionin politik të paqes dhe sigurisë përmes përpjekjeve të arritjes së një balance mes nevojës për furnizim me armë të aleatëve dhe partnerëve të besueshëm dhe kufizimit të sasisë absolute të armëve të dërguara në mbarë botën.

Mbështetja e shprehur gjermane në fushën e mbrojtjes përmes ministrit të Mbrojtjes u shfaq gjatë vizitave të të njëjtit në Singapor, Indonezi dhe Indi është në të njëjtën frymë me deklaratën e shprehur më lartë nga ana e Ministres së Jashtme të Gjermanisë Baerbock përpara vizitave në Australi dhe Zelandën e Re mbi nevojën e mbështetjes politike ndaj aktorëve të ndryshëm si një shenjë e një bashkëpunimi të konsoliduar dhe të qëndrueshëm përfshirë dhe të tillat në fushën e mbrojtjes.

Vizitat e zhvilluara në nivel të Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes në Australi, Zelandë e Re, Indi dhe Indonezi janë zhvilluar në vitin 2023, por angazhimi i përbashkët gjerman në rajonin e Indo-Paqësorit daton dhe gjatë vitit 2022, në stërvitjet e përbashkëta të realizuara përkatësisht me Japoninë më shtator 2022 dhe pjesëmarrja në një stërvitje të zgjeruar të quajtur “Talisman Sabre” që zhvillohet në Australi ku marrin pjesë Fixhi, Franca, Indonezia, Japonia, Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Papua Guinea e Re, Tonga, Britania, Kanadaja dhe Gjermania, .

Mesazhi politik i këtyre stërvitjeve përtej bashkëpunimit ushtarak mbetet i njëjti politik ku përballimi i sfidave të sigurisë nuk është vetëm në nivel Euro-Atlantik, por gjithashtu dhe në nivel të Indo-Paqësorit dhe përballimi mbetet një sfidë e përbashkët në mbrojtje të paqes dhe sigurisë.

Angazhimi ministror dhe pjesëmarrja në stërvitje dypalëshe dhe shumëkombëshe përbëjnë një dimension teknik-diplomatik-ushtarak të angazhimit Gjerman në Indo-Paqësor, por angazhimi politik i dorës së parë shpërfaqet në vizitat zyrtare të kancelarit Scholz në disa prej vendeve apo dhe në takimet në Berlin në nivel presidencial dhe kryeministror.

Scholz zhvilloi një vizitë zyrtare në Seul, Korea e Jugut pas përfundimit të punimeve të samitit të liderëve të G-7 në Hiroshima të Japonisë. Vizita përkatëse ishte e para zyrtare e zhvilluar në një periudhë 30 vjeçare ku fokusi kryesor i së njëjtës ishin bashkëpunimi ekonomik dhe i njëjti në fushën e mbrojtjes. Marrëveshja në fushën e mbrojtjes u njoftua nga presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol, dhe e njëjta synonte përkatësisht sipas presidentit Koreano-Jugor “operimin e qetë të zinxhirit të furnizimit të industrisë së mbrojtjes”. Në frymën e marrëveshjes, Scholz kërkoi mbështetjen e Koresë së Jugut në kuadër të investimeve në industrinë e çipave, një mbështetje e Koresë së Jugut, ekonomia e katërt në rang kontinental aziatik.

Kjo vizitë e nivelit të lartë është mesazhi qartësisht politik i vullnetit Gjerman për një kufizim të thelluar të bashkëpunimit me Kinën dhe rritjen e bashkëpunimit politik-ushtarak-ekonomik me aktorë të tjerë të rëndësishëm në Indo-Paqësor ku vizita e mëhershme e nivelit të lartë u mbajt në Nju-Dehli, Indi, nga kancelari Scholz në shkurt 2023.

Vizita e nivelit të lartë kishte një rëndësi të veçantë politike ku kryeministrit indian Modi theksonte rëndësinë e Gjermanisë si vijon: “Përveç se është partneri ynë më i madh tregtar në Evropë, Gjermania është gjithashtu një burim i rëndësishëm investimi në Indi. Lidhjet e forta midis Indisë dhe Gjermanisë bazohen në vlerat e përbashkëta demokratike dhe interesat e përbashkëta“. Në të njëjtën frymë me Modin, Scholz theksoi bashkëpunimin ekonomik mes të dy vendeve përkatësisht në rritjen e burimeve njerëzore në kompanitë Gjermane në Indi ku theksoi si vijon: “Ne kemi nevojë për talente. Kemi nevojë për punëtorë të kualifikuar. Teknologjia e informacionit dhe zhvillimi i softuerit në Indi po lulëzon. India ka kaq shumë talente dhe ne duam të përfitojmë nga ky bashkëpunim”.

Vizita e Scholzit që parapriu vizitën e ministrit të Mbrojtjes së Gjermanisë është më shumë se një sinjal politik që përbën një vëmendje të veçantë të vendosjes së marrëdhënieve të Gjermanisë me Indinë në nivel parësor, në bashkëpunim ushtarak dhe në fusha të tjera si energjia, tregtia apo dhe teknologjitë e reja.

Berlini ishte destinacioni politik pritës i vizitave të nivelit të lartë nga vende të Indo-Paqësorit ku spikati vizita e kryeministrit të Australisë, Anthony Albanese përpara Samitit të NATO-s që u mbajt në Vilnius më qershor 2023. Gjatë kësaj vizite, Albanese deklaroi marrëveshjen në fushën e mbrojtjes në shifrën prej 1 bilion dollarësh, një marrëveshje e rëndësishme që ndikon në rritjen e aftësive mbrojtëse dhe në përfitimin ekonomik, gjithashtu. Temat kryesore të bisedimeve mes dy Kryeministrave gjatë vizitës zyrtare u përqendruan në fushën e energjisë, bashkëpunim ekonomik, por thelbi i bisedimeve ishin siguria në Indo-Paqësor dhe lufta në Ukrainë.

Vizitat zyrtare, marrëveshjet dypalëshe, stërvitjet ushtarake apo shumëkombëshe përbëjnë elementë të rëndësishëm politikë që konsolidojnë praninë politike në nivel të shtuar në rajonin e Indo-Paqësorit, një prani e imponuar nga konteksti kompleks gjeopolitik me fillesë në kontinentin evropian dhe si një përgjigje ndaj realiteteve të vështira social-politike me fillesë gjatë pandemisë së Covidit-9, sulmin rus mbi Ukrainë apo dhe zgjerimi i ambicieve politike të Kinës. Ky kontekst i ri ka inkurajuar një drejtim të ri të Gjermanisë në politikën e jashtme ku synimet e shpallura janë mbi uljen e varësisë ekonomike nga Kina, siguria në Indo-Paqësor dhe konsolidimi i “partneriteteve politike të besueshme”.

Rajoni i Indo-Paqësorit është strategjikisht shumë i rëndësishëm dhe vëmendja gjermane nuk mund të interpretohet si e veçuar në kontekstin kombëtar, por dhe si një dëshmi e pranisë së rritur të Bashkimit Evropian ku përfshirja e dy aktorëve kryesorë si Franca dhe Gjermania mbetet dëshmi e së tillës. Pistorius do të theksonte rëndësinë politike të Rajonit në nivel kombëtar dhe Evropian duke e konsideruar rajonin e Indo-Paqësorit si vijon: “Ky rajon do të formësojë shekullin e 21-të në aspektin e politikës së sigurisë, lirisë së lundrimit dhe sfidave në ekonominë ndërkombëtare dhe kjo është arsyeja pse ky rajon është i rëndësishëm jo vetëm për Gjermaninë, por për të gjithë Evropën”.

Viti 2024 mund dhe duhet të shënojë një bashkërendim të gjerë evropian në bashkëpunimin me Indo-Paqësorin ku posaçërisht roli udhëheqës dhe pro-aktiv bashkërendues mes Francës dhe Gjermanisë do ta dërgonte më të plotë përgjigjen politike evropiane në rajon. Miratimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Zelandës së Re dhe Bashkimit Evropian është një ogur i mirë i angazhimit Evropian në rajon, por konfigurimi i ri politik institucional në BE i pas-zgjedhjeve 2024 mund të dërgojë në një dimension të ri angazhimin Evropian, një angazhim në përputhje me sfidat politike të shekullit.