LAJMI I FUNDIT:

Gjermanëve u kërkohet kursimi i gazit

Gjermanëve u kërkohet kursimi i gazit

Rregullatori gjerman i Energjisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë më shumë gaz pasi temperatura ka rënë nën 0 gradë Celsius në pjesë të mëdha të vendit.

Sipas tyre, familjet duhet të reduktojnë konsumin e gazit me 20 për qind për të shmangur mungesat në muajt e ardhshëm.


“Aktualisht, kursimet totale janë vetëm 13 për qind. Është e rëndësishme që ne të mos heqim dorë nga përpjekjet tona për kursime dhe t’i mbajmë ato gjatë gjithë dimrit”, tha shefi i Agjencisë Federale të Rrjetit, Klaus Muller.

Gjermania po përballet me një krizë të rëndë energjetike për shkak të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë, e cila çoi në ndërprerje në furnizimin me gaz dhe çoi çmimet e energjisë në nivele rekord.

Edhe pse vendi ka arritur të mbushë kapacitetet e depozitimit të gazit në 95 për qind që nga java e kaluar, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk garanton se nuk do të ketë racionizim të gazit apo ndërprerje të energjisë elektrike në muajt e ftohtë të dimrit.

Objektet e magazinimit gjithashtu kanë nevojë për një rrjedhje të vazhdueshme të gazit nga tubacionet për të mbajtur presion të mjaftueshëm.

Tubacioni “Nord Stream I”, burimi kryesor i gazit rus në Gjermani, u shkatërrua pas një shpërthimi në shtator dhe vendi aktualisht nuk importon gaz nga Rusia.

Para fillimit të luftës në Ukrainë, Rusia furnizonte 55% të gazit natyror të Gjermanisë.

Qeveria gjermane po përpiqet të diversifikojë burimet e saj të furnizimit me gaz natyror duke blerë më shumë gaz nga Norvegjia dhe duke rritur importet nëpërmjet tubacioneve nga Belgjika dhe Holanda.

Për të marrë mjaft gaz natyror të lëngshëm për të zëvendësuar plotësisht gazin rus në vitet e ardhshme, Berlini po ndërton gjithashtu terminale LNG në portet gjermane veriore të Brunsbuttel, Wilhelmshaven, Stade dhe Lubmin. /AA/