Mbetje mortore të dyshuara si njerëzore janë gjetur në një zonë të hapur në Rahovec.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 29 korrik, rreth orës 17:42.


Një qytetar ka njoftuar policinë se, derisa ishte duke ecur në një fushë të hapur, kishte vërejtur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin një personi.

Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se mbetjet janë sjellë në atë lokacion nga uji i reshjeve të fundit atmosferike.

Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë tërhequr mbetjet mortore për procedurat e mëtejshme.

Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/