LAJMI I FUNDIT:

‘Give Nation’, organizata që ka zgjedhur rininë e Kosovës për t’i edukuar financiarisht

‘Give Nation’, organizata që ka zgjedhur rininë e Kosovës për t’i edukuar financiarisht

Kosova si vendi më i ri në Evropë, pa dyshim se ka nevojë për përvoja nga vendet e tjera me qëllim që të rinjtë të angazhohen në profile të ndryshme, e ndër to është edhe edukimi financiar dhe fuqia e dhurimit. Për të avancuar në këtë aspekt, “Give” që vepron në Kosovë përmes aplikacionit të vet u mëson fëmijëve shtyllat kryesore (dy): menaxhimin e parave dhe ndjenjën e altruizmit.

Duke marrë parasysh se vendi ynë ka një përqindje të madhe të rinisë kryesisht të moshës nën 18-vjeç, organizata mëton të zhvillojë ndërmarrësinë dhe kreativitetin.


Telegrafi më poshtë ju sjell një intervistë me themeluesin e organizatës ‘Give’, Arnaud Saint-Paul, i cili rrëfen në detaje se si funksionon organizata, si është themeluar, si ndihmon në edukimin e fëmijëve, por edhe të prindërve, etj.

A mund të na tregosh më shumë për projektin tuaj?
Në vitin 2017, ‘Give Nation’ dhe monedha e vet, e quajtur Give, kishte lindur. Ky komb i ri që u ofrohet fëmijëve nga e gjithë bota (të moshës 5-18 vjeç) si shtylla kryesore i ka edukimin financiar dhe fuqinë e dhurimit. Qëllimi është t’ua mundësojë qytetarëve të vet aftësitë esenciale jetësore të menaxhimit personal të parave dhe mjetet që nevojiten për të pasur ndikim në komunitetin e tyre dhe në botë, por gjithashtu për qëllim ka rritjen e ndërmarrësisë, kreativitetit, mëshirës dhe për ta rritur vetë-respektin. Përmes përdorimit të aplikacionit ‘Give’ dhe planit mësimor financiar që mundësohet nga partneri Aflatoun, fëmijët mësojnë në shkollë për të fituar, kursyer, tregtuar, shpenzuar, investuar dhe për të dhuruar për bamirësi.

Në foto: Arnaud Saint-Paul, themelues i organizatës ‘Give’

Nga ju ka ardhur kjo ide? Çfarë ju ka nxitur ta realizoni?
Raportet nga ‘OECD’ dhe nga burimet tjera tregojnë se jo vetëm që edukimi financiar është problem i madh anë e mbanë botës, por edhe është duke u keqësuar pas çdo gjenerate, e kjo është duke gjeneruar probleme shoqërore që ndërlidhen me kundërvajtjet financiare, rritjen drastike të borxheve për kokë banori, etj. Njohuritë financiare duhet të përvetësohen në moshë të hershme, duke filluar nga mosha 7 vjeç. Në të njëjtën kohë, nevoja për ndikim social dhe ambiental është duke u rritur çdo ditë dhe besojmë se fëmijët, të cilët do ta trashëgojnë planetin tonë, duhet të kenë një zë aktiv dhe të punojnë më shumë që të bëjnë vepra me ndikim.

Përse e konsideroni Kosovën vendin e duhur për ta implementuar këtë projekt?
Kosova është kombi më i ri në Evropë ku 50% e popullsisë janë 18 vjeç ose më të ri. Historia e afërt ka shfaqur një shtysë të jashtëzakonshme drejt ndërmarrësisë dhe kreativitetit, pavarësisht sfidave ekzistuese. Ne besojmë se Kosova është vend unik për t’u bërë një prej ekonomive më dinamike në Evropë, nëse veç i ofrohet shansi.

Si mendon që ky projekt do të ndikojë në jetët e të rinjve në Kosovë, por edhe në popullsinë e përgjithshme?
Siç kemi parë në hulumtimet tona por edhe në eksperimentet e ngjashme në shtete tjera, njohuritë financiare të fëmijëve do të rriten por edhe kursimet e tyre. Ata do të praktikojnë më shumë mëshirë dhe altruizëm, por njëkohësisht do të bëhen më shumë kreativë dhe sipërmarrës. Atyre gjithashtu do t’u rritet vetëbesimi dhe ndjenja se kanë ndikim në komunitet apo në botë përmes veprave investuese që kanë ndikim. Kur fëmijët mësojnë dhe e edukojnë veten në platformën tonë, padyshim se kjo do të nxitë dialog mes tyre dhe prindërve, e kështu vetëm sa zgjerohet edukimi financiar.

Si planifikoni ta implementoni këtë projekt në Kosovë?
Me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, kompanive ndërkombëtare dhe vendore, në tremujorin e ardhshëm do ta implementojmë fazën e parë ku përfshihen pesë mijë fëmijë të shkollave fillore dhe të mesme. Posa të përfundon faza e parë, gradualisht do ta rrisim numrin e fëmijëve të përfshirë derisa të arrihen një milion fëmijë të Kosovës. Përveç se do të bashkëpunojmë me shkollat e vendit, do të bashkëpunojmë edhe me organizatat vendore të bamirësisë për të pasur ndikim lokal përmes kampanjave në të cilat fëmijët do të bëjnë punë vullnetare.

A keni diçka të shtoni për fund?
Kjo është mundësi e mahnitshme për prindërit, shkollat dhe korporatat që të promovohet edukimi financiar dhe sipërmarrja te fëmijët kosovarë në mënyrë që fëmijët të kenë një jetë të suksesshme dhe të lumtur.

Vetëm së bashku mund t’ua dhurojmë gjeneratës së ardhshme mundësinë për të kontribuar për një botë më të mirë. /Telegrafi/