LAJMI I FUNDIT:

GËZIMI

GËZIMI

Nga: Mario Benedetti
Përktheu: Bajram Karabolli

Secili ka të drejtën për t’u gëzuar. Nganjëherë ka tym, ka mjegull, ka re. Por, pas këtyre është ai, gëzimi, duke pritur. Përherë ka një të çarë në shpirt, nga duken bebëzat e hapura të gëzimit që rri zgjuar.


Dhe, atëherë zemra gjallërohet, del nga shqetësimi i vet, thua është një zog.

Gëzimi, pas një mungese të gjatë, ia beh papritur, duke i dhënë fund trishtimit. Nëse ritakohemi me dashurinë tonë, me sekretin tonë të veçantë, sigurisht, gëzimi na përqafon dhe na i ka ënda t’ia marrim këngës.

Këngë e vërtetë, edhe sikur të mos kemi zë apo të na jetë ngjirur zëri nga ankthet e mëparshme.

Gjithsesi, gëzimi është një borxh, që s’varet nga ne. Është një çmenduri e vogël, një çmim kalimtar, që veç na ngazëllen, si të ishte pasuri e mirëfilltë, si një përfitim, si një pranverë e jetës. Ai kapet pas kohës, merr me vete një çikë prej fëmijërisë dhe futet si era edhe në pleqëri.

Javë pas jave, vit pas viti, gëzimi vjen e na mbush zbrazësitë. Derisa nuk mundet më, e pastaj … vjen trishtimi.