LAJMI I FUNDIT:

Germa “P”

Germa “P”
At Zef Pllumi

Nga: At Zef Pllumi (Rrno vetëm për me tregue)

Vdekja që më tronditi mâ shumë në burg të Zejmenit kje ajo e Dom Nikollë Gjinajt nga Suma e Pultit, burrë me moshë të kalueme, por me shëndet të mire.


Në janar të vjetit 1987, fill pas Vitit të Ri, me nji fletore të zakonshme që e bleu në dyqan të burgut, punoi një bllok të vogël xhepi, të cilin donte ta përdorte edhe si kalendar. Në secilën faqe kishte vû datën e ditën e çdo jave, shkrue me laps.

Në nji kohë kur ai nuk ishte aty, i burgosuni perbri, nji spiun i komandës ia kishte kontrollue bllokun e mandej e kishte akuzue se në kalendar ai ka shenue edhe ditën e Pashkve. N’e nesre komanda, siç bante shpesh here organizoi nji kontroll të rreptë. Dom Nikollës i gjetën at bllokun e vogël kalendar, ku në nji ditë të diele të prillit kishte shkrue edhe germen “ P”. Vetëm për këtë “faj” atë e muerën dhe e dërguen në birucë të izolimit për nji muej me radhë, në kulmin e dimnit acar. Kur duel kish mbarue krejt.

Nji ditë, në fillim të marsit, u gjet i shtrimë në dyshemenë e depos s’ushqimeve, ku kishte shkue me marrë strajcën e bukës, por u rrxue shkalla e ai s’mund të çohej. E dërguen me vrap në infermierinë e burgut, ku mjeku Kosovrasti tha se nuk kishte thye kurrgjâ, por i kishte ra hemorragji cerebrale.

Diq mbas dy-tre ditësh, pa ia mbrrijtë atyne festive shpirtnore të Pashkëve, për të cilat kish vuejt nji muej tortura e të ftohtë.

Gjithkuj iu dhimb ai, ndërsa po shifej kjartë se i njajti fat na priste të gjithëve.