Sot në Georgia po zhvillohen garat e balotazhit për dy vende në Senatin amerikan, që do të përcaktojnë nëse republikanët, apo demokratët do ta kenë në kontroll.

Senatori republikan, David Perdue po përballet me demokratin, Jon Ossoff, një producent dokumentarësh televizivë, ndërsa senatorja republikane, Kelly Loeffler, një nga ligjvënëset më të pasura në vend, është në garë kundër kandidatit demokrat, pastorit Raphael Warnock.

Sondazhet përpara ditës së zgjedhjeve tregojnë se dy demokratët kanë avantazhe të ngushta në garë. Të dy balotazhet u bënë të nevojshme pasi asnjë nga katër kandidatët nuk fitoi shumicën e duhur në raundin e parë të zgjedhjeve në nëntor.

Pjesëmarrja në votime pritet të jetë jashtëzakonisht e lartë, me më shumë se 3 milionë vota të hedhura në votimet e hershme. Pesë milionë vota u hodhën në Georgia në zgjedhjet e nëntorit, por rreth 100 mijë njerëz që nuk votuan atëherë e kanë hedhur votën e tyre tashmë në balotazh.

Republikanët aktualisht kanë një avantazh 50-48 në Senat. Një fitore e republikanëve në një, ose të dyja garat në zgjedhjet e së martës, do t’i jepte partisë një shumicë të qartë dhe të drejtën për të vendosur agjendën e Senatit dhe për të mbajtur shumicën në të gjitha komisionet legjislative të Senatit.

Zyrtari i lartë i zgjedhjeve në Georgia: Shtëpia e Bardhë më detyroi të flisja në telefon me Trumpin Zyrtari i lartë i zgjedhjeve në Georgia: Shtëpia e Bardhë më detyroi të flisja në telefon me Trumpin

Nëse të dy demokratët Warnock dhe Ossoff do të fitonin, në Senat do të kishte një ndarje 50-50, duke i dhënë nënresidentes së zgjedhur Kamala Harris mundësinë për të hedhur votën përcaktuese në rast të një votimi të barabartë, në favor të demokratëve për organizimin e komisioneve dhe kontrollin e kalendarit legjislativ.

Një Senat i kontrolluar nga republikanët do të komplikonte miratimin e reformave legjislative të Joe Biden gjatë dy viteve të ardhshme, duke detyruar ndoshta negociata gjithpërfshirëse për çështje të tilla si shkalla e përfitimeve të kujdesit shëndetësor, vendosja e kontrolleve të imigracionit dhe vendosja e rregulloreve për ndryshimet klimatike. /zeriamerikes/