Gazetarja estoneze Kaldoja: Samiti i Ankarasë do të tregojë nëse NATO po i kthen premtimet në veprime


Udhëheqësja për Politikë të Jashtme në median “Postimees” të Estonisë, Evelyn Kaldoja, ka vlerësuar se Samiti i NATO-s në Ankara është i rëndësishëm për të parë nëse aleatët do të arrijnë të ruajnë unitetin dhe t’i kthejnë zotimet në veprime konkrete.
Duke folur për rëndësinë e këtij takimi, Kaldoja tha se për Evropën është thelbësore që të mos ketë luhatje në unitetin e aleatëve, sidomos në një kohë kur siguria e kontinentit vazhdon të sfidohet nga lufta në Ukrainë dhe kërcënimi rus.
“Mendoj se për Evropën është e rëndësishme që të mos ketë luhatje në unitetin e aleatëve, si dhe të ndërmerren hapa konkretë, të jepen premtime konkrete dhe ato premtime edhe të mbahen”, ka deklaruar Kaldoja shkruan Telegrafi.
Sipas saj, një nga çështjet kryesore të samitit do të jetë vlerësimi nëse vendet anëtare kanë nisur realisht të lëvizin drejt objektivit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind.
“Siç e kuptoj unë, do të matet nëse aleatët realisht kanë nisur të lëvizin drejt objektivit prej 5 për qind. Pra, mendoj se thelbësore janë uniteti dhe përmbushja e zotimeve”, u shpreh ajo.
Kaldoja theksoi se tashmë ka sinjale se proceset kanë filluar të lëvizin, veçanërisht në drejtim të fuqizimit të industrisë së mbrojtjes. Ajo tha se vëmendja e madhe ndaj kësaj industrie mund të sjellë më shumë prodhim, por kjo kërkon edhe porosi konkrete nga shtetet.
“Tani gjërat kanë filluar të lëvizin dhe shpresoj që po lëvizin në drejtimin e duhur. Duke qenë se ka kaq shumë vëmendje ndaj industrisë, ndoshta industria do të fillojë të funksionojë më fuqishëm, ndërsa vendet mund të nisin porositjen e armëve dhe pajisjeve, në mënyrë që industria të ketë realisht fonde për të punuar”, tha Kaldoja.
Ajo shtoi se industria e mbrojtjes nuk mund të prodhojë pa mbështetje financiare dhe pa kërkesa të qarta nga vendet anëtare.
“Sepse ajo nuk mund të prodhojë nga asgjëja dhe pa asnjë qëllim konkret”, deklaroi ajo.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Kaldoja tha se NATO mbetet një shtyllë e fuqishme në mbështetje të mbrojtjes ukrainase, edhe pse Aleanca si organizatë nuk dërgon drejtpërdrejt armë në Ukrainë.

“NATO-ja është një shtyllë e fuqishme në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës. Në fakt, NATO-ja po organizon furnizimet dhe po ndihmon në pajisjen e ushtrisë ukrainase, edhe nëse nuk i dërgon drejtpërdrejt armë Ukrainës”, tha ajo.
Sipas saj, roli i NATO-s nuk lidhet vetëm me Ukrainën, por edhe me frenimin e ambicieve të Rusisë për të lëvizur më tej drejt Perëndimit.
“Mendoj se NATO-ja është elementi kyç që po e ndal Rusinë të lëvizë më tej drejt Perëndimit. Prandaj, të shpresojmë që parandalimi i NATO-s të funksionojë”, përfundoi Kaldoja./Telegrafi/







































