Jason Arday, ish-profesor i sociologjisë së arsimit në Universitetin e Kembrixhit, është gjetur i vdekur në një adresë në Battersea, në jug të Londrës.

Shërbimet emergjente thanë se një burrë u gjet “pa shenja reagimi” të premten pasdite. Policia e ka cilësuar vdekjen si të papritur, por nuk beson se ajo është e dyshimtë.


Arday, 41 vjeç, kishte dhënë dorëheqjen javën e kaluar nga posti në Kembrixh, pas akuzave për plagjiaturë dhe pikëpyetjeve mbi disa prej arritjeve të tij akademike. Ai i kishte mohuar akuzat, ndërsa kishte pranuar se në disa prej punimeve të tij të hershme kishte gabime.

Familja e tij tha se ishte “e tronditur” nga humbja e tij dhe e përshkroi Ardayn si një “baba, partner, vëlla, xhaxha dhe djalë të mrekullueshëm”.

Sipas familjes, “fushata e dezinformimit ishte e tepërt për Jasonin”, të cilin e përshkruan si një njeri të butë që gjithmonë kërkonte të shihte të mirën te të tjerët.

Polemika shpërtheu pasi akademiku Nathan Cofnas, i cili më parë ishte shkarkuar nga Kembrixhi, pretendoi se kishte zbuluar raste të shumta plagjiature në punën e Arday, shkruan bbc.

Universiteti Liverpool John Moores, i cili i kishte dhënë Arday doktoraturën në vitin 2015, kishte hetuar akuzat dhe kishte përfunduar se ai nuk kishte kryer plagjiaturë.

Arday kishte thënë se disa nga gabimet në punimet e tij të hershme lidhen me autizmin e tij dhe mënyrën se si ai përpunonte informacionin.

“Nuk kam vrarë askënd. Mizoria që kam përjetuar dhe mënyra se si jam paraqitur si gënjeshtar dhe fantazist është krejtësisht e papranueshme”, kishte deklaruar ai për Times.

Në njoftimin për dorëheqjen, Arday tha se kostoja personale e shqyrtimit publik ishte bërë “shumë e madhe”.

“Akuzat e pandërprera, spekulimet dhe komentet publike kanë shkaktuar një dëm të thellë tek unë dhe tek njerëzit që dua”, kishte shkruar ai, duke theksuar se dorëheqja nuk nënkuptonte pranimin e akuzave.

Zëvendëskancelarja e Kembrixhit, Deborah Prentice, tha se universiteti ishte “jashtëzakonisht i pikëlluar” nga lajmi dhe shprehu ngushëllimet për familjen e tij. Kembrixhi kishte nisur gjithashtu një hetim të pavarur për mënyrën se si Arday ishte emëruar në postin e profesorit.

Miku i tij dhe profesori Kehinde Andrews tha se Arday ishte “shumë i rënduar” pas dorëheqjes, se nuk dilte më nga shtëpia dhe kishte humbur shumë peshë.

Arday ishte bërë në vitin 2023, në moshën 37-vjeçare, profesori më i ri me ngjyrë në historinë e Kembrixhit. Ai kishte nisur karrierën si mësues i edukatës fizike dhe më vonë ishte bërë profesor në Durham, Glasgow dhe Kembrixh. /Telegrafi/