LAJMI I FUNDIT:

Gashi: Mijëra herë kam thënë se Astrit Dehari është vrarë

Gashi: Mijëra herë kam thënë se Astrit Dehari është vrarë

Avokati i familjes Dehari, i angazhuar për të zbardhur rastin e vdekjes së veprimtarit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, Tomë Gashi ka thënë se tash e tri vjet mijëra herë ka deklaruar se trupi i Astrit Deharit vërteton vrasjen e tij.

Avokati Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “dasht me prit 3 vite që edhe vrasësit të binden ‘’se e kanë vra Astritin’”.


Gashi i ka bashkangjitur postimit të tij një video nga një konfrenecë për mediaj, ku prezanton fakte se Astrit Dehari është vrarë në burg.

Postimi i plotë i Gashit:

“Që nga dita e vrasjës më 05.nëntor 2016 e kam thënë me mijëra herë se trupi i ASTRITI DEHARIT e vërteton vrasjen. Janë mbi 460.000 faqe që e kanë publikuar këtë. Dhe janë më shumë se 50.000.0000 / pesëdhjetë milon/persona që e kanë lexuar këtë se ASTRIT DEHARI është vrarë. Por u desht me prit 3 vite që edhe vrasësit të binden ”se e kanë vra ASTRITIN. Kjo është një nga konferencat e para me 16. dhjetor 2016 ku me fakte shkencore nga ekspertiza e experteve të pavarur, dhe si pergjigje ndaj mohimit të vrasjës nga ana e zyrtarëve shtetëror, të cilët me shpirtin e tyre të zi e mohonin atë që e dinin me mirë se une.!” (sic.), ka shkruar avokati Gashi.

Rasti i Astrit Deharit u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Instituti i  Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, në të cilën thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje.

Kërkohet të bëhet një hetim i ri për të shikuar edhe pista tjera përfshirë edhe përfshirjen e ndonjë personi të tretë në këtë ngjarje. S’përjashtohet krejtësisht as vetëvrasje, por, kërkohet të hetohet edhe pista nëse një person i tretë është i përfshirë në rast.

Raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën. Në këtë dokument nuk përjashtohet krejtësisht as opsioni i vetëvrasjes por thuhet se është pak e besueshme se mund të ketë ndodhur një vetëvrasje, prandaj, kërkojnë hetime për të zbardhur të vërtetën.

Prokuroria Themelore në Prizren ka publikuar konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, i cili kishte vdekur më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria konfirmon se do të vazhdojë hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Të gjitha lajmet nga Astrit Dehari
Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Astrit Dehari

Me këtë konstatim, Prokuroria e kthen rastin në hetim, pas përfundimeve të mëparshme se bëhej fjalë për vetëvrasje.

Bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti (v.j. disa prej tyre tashmë nuk i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje).

Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.

Në shkurt të vitit 2017, familja Dehari vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze. /Telegrafi/