Fansat e universit “Game of Thrones” do të duhet të presin edhe pak për videolojën e re strategjike “Game of Thrones: War for Westeros”, pasi zhvilluesi ka shtyrë publikimin e saj nga viti 2026 në fillim të vitit 2027.

Videoloja, e zhvilluar nga PlaySide Studios, është një strategji në kohë reale që vendoset në botën e Westerosit. Lojtarët do të mund të marrin kontrollin e Shtëpive të Mëdha, të udhëheqin ushtri, të përdorin heronj të njohur dhe të luftojnë për pushtetin mbi Fronin e Hekurt.


Zhvilluesit thanë se shtyrja është bërë për t’i dhënë ekipit më shumë kohë për të përmirësuar videolojën dhe për të arritur cilësinë që presin si adhuruesit e lojërave strategjike, ashtu edhe fansat e serialit.

Në “War for Westeros”, lojtarët do të përballen në beteja masive, ku do të duhet të përdorin taktika, aleanca dhe tradhti për të mposhtur kundërshtarët. Video-loja do të përfshijë mënyra për një lojtar, beteja online dhe përballje mes disa lojtarëve.

Ngjarjet zhvillohen në botën e krijuar nga George R.R. Martin, ku lojtarët do të mund të drejtojnë forca të ndryshme dhe të ndryshojnë fatin e shtatë mbretërive përmes betejave strategjike.

Publikimi është planifikuar për fillimin e vitit 2027 për PC. /Telegrafi/