Një ish-drejtues i njësisë ndërkombëtare për hetimin e krimit në sport ka deklaruar se disa lojtarë të Ligës Premier kanë qenë të përfshirë në kurdisjen e ndeshjeve.

Fredrik Gardare, i cili udhëhoqi për vite me radhë një njësi policore suedeze kundër krimit të organizuar në sport, tha se gjatë një bastisjeje në një kazino të paligjshme në vitin 2021 u sekuestrua një telefon me prova të qarta për trukime ndeshjesh.


Sipas tij, në aplikacionin Telegram gjendeshin biseda ku lojtarë profesionistë bashkëpunonin me një kriminel për të manipuluar duele në ligat evropiane, përfshirë edhe ndeshje ndërkombëtare në Ligën e Kombeve.

Gardare theksoi se mes të implikuarve kishte më shumë se një lojtar të Ligës Premier. Ata dyshohet se kishin ndikuar në situata specifike të lojës, si kartonët e verdhë, goditjet nga këndi dhe episode të tjera të ndeshjeve, për t’i shfrytëzuar në baste.

Megjithatë, pavarësisht provave, policia e Stokholmit dhe autoritetet kombëtare suedeze vendosën të mos e çonin më tej hetimin. Gardare e cilësoi këtë vendim “zhgënjyes dhe të pashpjegueshëm”, duke theksuar se telefoni me provat ende ndodhet në duart e policisë.

“Ishte një prioritet shumë i lartë për mua, e gjithë njësia ime u angazhua në këtë hetim. Ne ia dhamë informacionin edhe federatës suedeze të futbollit, duke i paralajmëruar se ishte një çështje serioze. Shpresoj që ata ta kenë ndarë edhe me FA-në”, u shpreh ai për Daily Mail Sport.

FA, nga ana tjetër, thuhet se nuk ka marrë ende informacion të drejtpërdrejtë nga autoritetet suedeze, por është e interesuar t’i shqyrtojë gjetjet.

Ky zbulim tronditës ngre pikëpyetje serioze për përhapjen e manipulimit të ndeshjeve në futbollin evropian dhe nëse autoritetet ndërkombëtare janë duke bërë mjaftueshëm për ta ndalur këtë fenomen. /Telegrafi/

telegrafi sport app