LAJMI I FUNDIT:

Furnizimi nga EULEX-i për policët në Jarinjë, opozita kritikon Qeverinë: Kapitullim total i shtetit

Furnizimi nga EULEX-i për policët në Jarinjë, opozita kritikon Qeverinë: Kapitullim total i shtetit

Që nga largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës e deri tani, kur rrugët në veri të vendit janë të barrikaduara, zyrtarët policorë janë duke punuar me orare të tejzgjatura e kushte joadekuate.

Përveç se po përballen në vazhdimësi me sulme me armë zjarri, granata dore e shok-bomba, një grup i policëve për ditë të tëra mbetën edhe të bllokuar në pikat kufitare përtej barrikadave.


Policia e Kosovës të martën mbrëma njoftoi se nëntë pjesëtarë të saj janë transportuar nga pikat kufitare në veri të vendit për në jug, falë bashkëpunimit me misionin e KFOR-it.

Dora e ndihmës për policët e Kosovës u shtri edhe nga misioni i EULEX-it, i cili i furnizoi me ushqim, veshmbathje e mjete higjienike.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, njoftoi të martën se këtë ndihmë e ofruan me kërkesë të Policisë së Kosovës.

Por, një vendim i tillë po konsiderohet si kapitullim total i shtetit të Kosovës nga Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, në një prononcim për Telegrafin tha se deklarata e shefit të EULEX-it tregon se “Albin Kurti e ka falimentuar Policinë e Kosovës”.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha

“Qeveria Kurti ka ngritur retorikë kinse po formoj fondin për armatosjen e FSK-së, e nga ajo ditë deri sot askush nuk di sa pare ka ai fond, as kush janë donatorët (dështimi total i Prokurorisë)”, u shpreh Berisha.

“Pastaj për kujdesin ndaj policisë kryeministri ndërroi drejtorin e përgjithshëm. Nisi operacionin e implementimit të marrëveshjes së vitit 2013 në veri dhe ja ku jemi sot në më pak se katër muaj kapitullim total i shtetit për të iu përgjigjur me logjistikë kërkesave elementare që kërkon një trupë e policisë në operacione të tilla speciale. Pra, deklarata e shefit të EULEX-it i tregon Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë botës se Albin Kurti e ka falimentuar Policinë e Republikës së Kosovës”.

Sa i përket gjendjes në veri të vendit, deputeti i PDK-së tha se është krizë ushtarake. Për këtë ai fajëson NATO-n për të cilën thotë se ka dështuar të bllokojë aktivitetin e spiunazhit rus.

“Gjendja në veri të vendit për mendimin tim është krizë ushtarake, e cila erdhi për arsye të dështimit të NATO-s në bllokimin e aktivitetit të spiunazhit rus, nga qendra e emergjencave në Nish. Ajo qendër ruse destabilizoi tri shtete nga Nishi: Bosnje Hercegovinën, Malin e zi dhe Republikën e Kosovës”, u shpreh deputeti Berisha.

Sipas Berishës, zgjidhja është e mundur vetëm atëherë kur NATO-ja fiton betejën kundër qendrës së spiunazhit rus në Nish.

“Misioni i EULEX -it tash ka rol monitorues e jo ekzekutiv. Dhe implikimi i EULEX-it në operacione policore të Kosovës është degradim i policisë e tregon paaftësi të institucioneve tona ne menaxhim të situatës me sigurinë”.

“Qeveria para se të marrë një veprim politik në zbatim të ligjit dhe luftimin e krimit, duhet të ngrisë kapacitetet e policisë si ato teknike, njerëzore e logjistike. Të krijojë alternativa për të menaxhuar me sukses operacionet policore si dhe të ketë strategji dalëse në rast se operacioni policor për vendosjen e ligjshmërisë nuk shkon sipas planit”, tha ai.

Tutje, deputeti opozitar i cili është anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, akuzoi ekzekutivin se po abuzon me Policinë e Kosovës duke i keqpërdorur resurset e saj.

“Qeveria ka marrë vendime ad-hock, pa e përgatitur mirë operacionin dhe kështu duke abuzuar me Policinë e Kosovës, duke i keqpërdorur resurset e saj në dëm të personelit të saj. Ne sot e kemi policinë në pikat kufitare si rezultat i vullnetit të madh të atyre djemve dhe vajzave që duan t’i dalin zot vendit dhe të luftojnë krimin e jo si rezultat i angazhimit të kësaj qeverie”.

Berisha shton se gjendja në veri është edhe më e keqe se para vitit 2011.

“Me këto vendime dhe veprime të kësaj qeverie e cila në asnjë hap nuk është harmonizuar me partnerët tanë ndërkombëtarë si garancë të sigurisë dhe kështu e sollën Kosovën në pozitë të disfavorshme në dialog me Serbinë, sepse Kosova më nuk po shihet si palë konstruktive”.

Ai gjithashtu kërkoi nga Prokurori i Shtetit që të urdhërojë arrestimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

“Prokurori i Shtetit duhet të urdhërojë arrestimin e ministrit të brendshëm dhe drejtorit të policisë. Zbërthimi i keqpërdorimit të Policisë së Kosovës nga kryeministri, ministri dhe drejtori i policisë duhet të  ndodhin në një proces gjyqësor. Ky nuk është dështim teknik, por i planifikuar”, përfundoi ai.

Të papranueshme gjendjen e rëndë në të cilën po punojnë zyrtarët policorë po e konsideron edhe Sibel Halimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sibel Halimi nga LDK-ja

Në një postim në Facebook, Halimi ka shkruar se policët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore, dalin në detyrë me çizme të shqyera e me jelekë antiplumb me afat të skaduar.

“Është tërësisht e papranueshme, që policët e Kosovës të cilët rrezikojnë jetën çdo ditë; e nuk kanë as sigurime shëndetësore; dalin në detyrë me çizme të shqyera e me jelekë antiplumb me afat të skaduar; tani të vuajnë për gjëra edhe më bazike se këto”.

“Nuk ka kurrfarë arsyetimi lënia e policëve të izoluar, pa ushqim, e të detyrohet EULEX-i për t’iu dërguar rroba e ilaçe. Heronj sa për t’u fotografuar me ta, e pastaj në çdo hap të anashkaluar”.

Sipas saj, është e turpshme sjellja dhe neglizhenca e zyrtarëve të shtetit karshi policëve “që prej dy javësh vuajnë pasojat e populizmit të partisë në pushtet”.

Ndryshe nga opozita, deputeti i partisë në pushtet, Enver Dugolli, njëherësh anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e ka mirëpritur ndihmën e EULIX-it për policët.

Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli

Për Telegrafin Dugolli tha se gjendja në veri është komplekse, ndaj kërkon angazhime më gjithëpërfshirëse.

Ai tutje shtoi se e vlerësojnë bashkëpunimin me të gjithë akterët të cilët janë të interesuar dhe përkushtuar për vendosjen e rendit dhe qetësisë në pjesën veriore të Kosovës.

“Prandaj, në këtë frymë e cilësojmë të rëndësishme edhe rolin e EULEX-it. Komunikimi me KFOR-in dhe EULEX-it po vazhdon sepse gjendja atje është komplekse dhe kërkon angazhime më gjithëpërfshirëse. Ndihmën e këtyre dy misioneve e konsiderojmë të rëndësishme për shkak të rrethanave dhe kontekstit”.

Sipas tij, është e rëndësishme të theksohet se “Republika e Kosovës ka partner NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, për dallim nga Serbia e cila po mbështetë bandat kriminale në barrikada duke u rikthyer në të kaluarën e tyre naziste e fashiste të kohës së Millosheviqit dhe të mbështetur nga Rusia dhe Putin”.

Duke komentuar gjendjen në veri, Dugolli tha se nuk është e mirë, por se po bëjnë përpjekje që “ta ruajmë paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët e vendit”.

“E kuptojmë që barrikadat dhe bllokimi i rrugëve po shfrytëzohet nga bandat kriminale për të rikthyer paligjshmërinë, krimin e organizuar dhe kontrabandën, mirëpo jemi të vendosur që të mos bëjmë pakt kurrë me krimin dhe kriminelët. Qytetarët e veriut të vendit janë njëlloj si të gjithë qytetarët e vendit dhe meritojnë një jetë normale”.

Në fund, ai theksoi se kjo është beteja e fundit për t’iu dhënë fund kriminelëve.

“Prandaj, po tentohet me çdo kusht të destabilizojnë atë pjesë të Kosovës, mirëpo shteti asnjëherë nuk do të dorëzohet dhe gjunjëzohet para tendencave të tilla”.

Telegrafi ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, njëherësh deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por ka qenë e pamundur.

Situata në pjesën veriore të vendit është e tensionuar që nga fillimi i dhjetorit. Në atë pjesë të banuar me shumicë serbe deri tani janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore.

Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët në atë pjesë. Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.

Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë. Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori