LAJMI I FUNDIT:

Fuqia morale është fuqia më e madhe

Shkrimet e mia, kush më shumë e kush më pak, kanë komente negative (natyrisht edhe pozitive). Por, për ato negative e kam fjalën këtu. Dhe, cila është arsyeja? Është njëra nga këto dy apo që të dyja: 1. moskuptimi dhe 2. nënshtrimi ndaj pushtetit. Këtu është fjala për sjelljen e njerëzve që nuk i shërbejnë ligjit, por vetëm pushtetit.

Sa i përket të parës, mundohem që të shkruaj sa më thjeshtë e qartë, por e kuptueshme që hapësira nuk lejon që të zgjerohem aq shumë sa të më kuptojë çdo lexues gazete. Në ndonjë shkrim këtë e arrij më pak në ndonjë tjetër më shumë.


Sa i përket të dytës, këtu kam problem vërtetë. Përderisa nuk kemi një demokraci të konsoliduar, pushtetet si në Kosovë, si në Shqipëri, kanë shumë letranxirës që ia turrin çdonjërit që thotë diçka që nuk është në vijë me pushtetin.

Ajo që na bënë të mos kemi një demokraci të konsoliduar nuk është se ne si popull kemi më shumë letranxirës se popujt tjerë. Jo, problemi është te vlerat morale, te qasja e jonë ndaj argumentit.

Shqiptarët, si në Kosovë si në Shqipëri, si kudo që janë, respektojnë autoritetin e jo argumentin. Ky është mekanizmi që më së shumti frenon shkuarjen tonë përpara si komunitet dhe si shoqëri.

Këtë do ta vëreni më qartë nëse shkoni në kullat e Malësisë apo odat e Kosovës. Aty autoriteti më i lartë vihet në ballë të oxhakut, ndërsa të tjerët anash deri tek dera ku ulet ai që ka autoritetin më të vogël në atë ndejë.

Kur flitet në kullë apo në odë nuk peshohen fjalët nga cilësia e argumentit, por nga niveli i autoritetit të atij që i shqipton fjalët. Dikush nga fundi i odës mund të flas shumë më mençur se ai të oxhaku, por turma në odë/kullë ia vënë veshin vetëm fjalëve të atij që është në ballë të oxhakut, dhe poqë se fjalët e atij që ulet tek dera janë në kundërshtim me atë në ballë të oxhakut, fillon persekutimi i atij qe është i ulur tek dera.

Kjo shihet qartë në kullat e Malësisë dhe odat e Kosovës, por mos mendoni që në thelb puna qëndron më mirë në klubet ku rrinë elitat e Prishtinës dhe Tiranës. Jo më larg se 50, 100 apo 200 vjet, këto elita kanë dalë nga brumi psikologjik që përmenda më lart. Sado që elitat në Prishtinë e Tiranë në trurin e tyre kanë informacionin për vlerat morale dhe mënyrën se si funksionon demokracia, nënvetëdija është ajo e odës/kullës.

Thjesht e trup, për shqiptarët nuk ka lindur akoma as Buda, as Jezu Krishti e as Muhamedi. Shqiptarët, tek e tuk, bëjnë kryq e bëjnë namaz, por kjo është më tepër një fizkulturë e tyre se sa një përkushtim ndaj Perëndisë. Është më tepër një aktrim dhe sjellje për tu dukur si të tjerët se sa përkushtim ndaj Perëndisë. Nënvetëdijen tonë e drejton Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe jo Bibla e Kurani.

Prandaj të gjithë rilindësit tanë kishin problem me opinionin. A nuk ankohej për këtë Faik Konica? Po Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri e shumë e shumë të tjerë? Sot ata respektohen ngaqë konsiderohen autoritete, por mendimet e tyre prapë se prapë kundërshtohen sapo t’u hiqet emri i autorit si autoritet.

Në një shkrim timin gati 2 vjet me parë kisha bashkangjitur një shkrim të Gjergj Fishtës për të dëshmuar se si Gjergj Fishta e ka konceptuar kombin njësoj si unë. Meqë shkrimi i Gjergj Fishtës ishte i gjatë, gazeta, shkrimin tim së bashku me shkrimin e atashuar të Gjergj Fishtës, e botoi në tri vazhdime. Në ditën e parë doli shkrimi im dhe një pjesë e shkrimit të atashuar të Gjergj Fishtës. Në ditën e nesërme e të pasnesërme doli vazhdimi i shkrimit të Gjergj Fishtës, me emrin tim si autor, ngaqë redaksia e gazetës kishte harruar të shtonte një shënim se ishte vazhdimi i shkrimit të Gjergj Fishtës të cilin po e citoja.

Çfarë ndodhi?

Komentet e lexuesve, që shkrimin e Gjergj Fishtës e pandehnin për timin, ishin katastrofalisht negative. Për të qenë ironia në kulm, disa komentues në portalin e gazetës përdornin autoritetin e Gjergj Fishtës për të sharë mendimet e tija ngaqë shkrimin e tij e pandehnin për timin.

Për të ecur përpara duhet që të ndryshojmë këtë qasje. Në kullat e Malësisë, në odat e Kosovës, në shkolla fillore dhe kudo duhet të shkruajmë parulla: Këtu argumenti është mbi autoritetin.