LAJMI I FUNDIT:

FUNDI

FUNDI

Poezi nga: Yevgeny Yevtushenko
Përktheu: Roland Gjoza

S’dashuroj më, s’kemi ç’t’i shtojmë kësaj historie
e zbrazët është jeta, pa kuptim si fundi
E theva kitarën. Ia shqeva telat kësaj kënge
s’mbeti më asgjë për të kujtuar.


Këlyshi, ky përbindësh i vogël me gëzof të hirtë
s’kupton pse ata qe duhen i komplikojnë gjërat kështu
kur ai kuit në derën tënde, unë e lë të hyjë te imja
kur ai gërvisht te dera ime, ti ke shkuar patjetër diku

Këlysh, o këlysh sentimental, ti me siguri do çmendesh
duke vrapuar sa nga njëra derë tek tjetra;
pa kuptuar kurrë një marrëzi të lashtë të njerëzve,
si merr fund çdo gjë kur të lë papritur ndjenja

Bëhuni sentimentalë, dëgjohet lutja dhe ne luajmë
melodramën e vjetër: “Shpëtoni dashurinë!”
Të falim, pëshpërisim dhe presim një zë prej diku
por asgjë nuk kthehet, asgjë, veç heshtjes që bie

Më mirë ta ruash dashurinë në fillim
nga pasioni i fjalëve të zjarrta; përgjithmonë … kurrë …
Më mirë të kishim dëgjuar ulërimën e rrotave të trenit;
Mos premto, se premtimet janë fitore të humbësit

Ne duhet të kishim folur për çdo zemër të thyer
dhe t’i kishim kthyer sytë nga qielli për ca fjalë të thjeshta
t’u vinim veshin paralajmërimeve të të dashuruarve
sa më e madhe shpresa, aq më e madhe gënjeshtra

Kopraci e maturisë është mirësi në dashuri
duhet të kalosh nëpër duar secilën hallkë të zinxhirit
mos premto krejt parajsën, po gjysmën e saj
mos thuaj gjer në vdekje, por gjer në vitin e ardhshëm

Dhe mos vazhdo të thuash: Të dua! Të dua!
Kjo fjali e shkurtër premton një jetë të pafundme
kur e përserit dhe për jetën e amshuar
folenë e grerëzave ke trazuar, një thikë të ngulet

Dhe këlyshi ynë i mbuluar me gëzof të hirtë
shkon nga dera në derë dhe gërvisht i hutuar
s’mund të them: më fal, se nuk ka kuptim
falje të kërkoj ngaqë të kam dashur dikur.