LAJMI I FUNDIT:

Fundi i opozitës luajale në Beograd

Fundi i opozitës luajale në Beograd

Presidentit Vuçiq po i del situata nga duart. Kjo po u ndodhë edhe sundimtarëve tjerë, autoritarë, nëpër Ballkan. Temat e mëdha nacional me të cilat i mbanin peng qytetarët, e kanë humbur fuqinë e dopingut. Nuk po arrin të riorganizojë një opozitë luajale. Pakënaqësia qytetare ka dal nga kanalet tradicionale mbledhëse, të cilat mbanin gjithçka nën kontroll, dhe po rebelohet pa ndonjë program apo ideologji.

Në Beograd, Tiranë, dhe Prishtinë, po vlojnë protestat. Nejse, në Prishtinë ende jo. Nuk ka kush. Nuk ka të pakënaqur. Të gjithë janë bërë pjesë e kulaçit. Ata të protestave ose janë shpërnda nëpër parti, ose kanë hyrë në qeveri. Në Beograd e Tiranë ndërkohë po vlojnë protestat. Demokracia është bërë jofunksionale, sistemi pluralist nuk përfaqëson dallimet, është korruptues. Pozita e opozita janë bërë njëjtë, me program e me veprim. Dallojnë vetëm liderët që shahen mes vete, dhe që kërcënohen. Kjo e argëton masën nëpër media. Dallimet mes partive janë dallime kulturore, ose rruga jetësore e liderëve të tyre.


Pjesëtari i një partie të opozitës lehtë mund të bëhet pjesëtar i pozitës e mos me e vërejt kush dallimin. Në zgjedhje nuk ka zgjedhje, e as zgjidhje për problemet kryesore të qytetarëve. Deputeti nuk e përfaqëson më qytetarin. Sistemi shumëpartiak, i reduktuar më herët, nuk është më as duopol. Është monopol. Pozita dhe opozita përfaqësojnë klane të interesave të njëjta; strukturohen në Parlament sipas nevojës, ndërkohë që qytetarët janë shndërruar në argat të politikës. Rregulla pareto, ku me 20 për qind qeveriset 80 për qind e qytetarëve që figurojnë në lista zgjedhore, është aplikuar plotësisht. Aq më tepër që me 20 për qind sundon një grup krejtësisht i vogël, i cili është mbi ligjin dhe institucionet. E qytetarët? Një pjesë e madhe janë ikë jashtë, një pjesë janë të dëshpëruar në politikë, tjerët nuk kanë kohë.

Kështu, duke u nisur nga qetësia verore që mbretëron në Prishtinë, njeriu mund të mashtrohet se nuk ka protesta. E vetmja pyetje që mundet me i lidhë këta tre emra (krye)qytetesh në një fjali është ajo se “përse nuk ka protesta edhe në Prishtinë?! I kemi punët mirë ne në Prishtinë? Funksionon shteti ligjor? Funksionon ekonomia? Janë të kënaqur qytetarët që e lëshojnë Kosovën sapo t’u jepet rasti, sapo gjejnë një vrimë në bllokadën e hekurt nga kontinenti? A mundet në Kosovë të ndërtohet një program qeverisës nga poshtë? A mund të rindërtohet demokracia duke e bërë vërtetë sovran qytetarin dhe duke tejkaluar sistemin e instaluar? Fronti Qytetar është lule paqësore që mbinë jashtë sistemit dhe rritet për të reformuar sistemin, për t’u bërë bimë shëruese për demokracinë joautoktone, si do të thoshte dikur Ukshin Hoti.

Në Serbi qe sa muaj ka filluar një lëvizje qytetare, ngjashëm me atë në Shqipëri, veçse me dallim se artikulimi i saj në Serbi ka shkuar një hap më tutje. Madje, edhe karakteri i tyre dallon. Rebelimi në Shqipëri është brenda sistemit, ndërkohë që përpjekja serbe premton zgjidhje paqësore jashtë sistemit të korruptuar. Marrëveshja me qytetarët është instrumenti politik i lëvizjes “Fronti Qytetar”, ku subjekte dhe individë po i bashkohen projektit, kësaj lëvizjeje, duke ikur nga çështjet e mëdha nacionale dhe duke u nisur nga interesat dhe interesimet e drejtpërdrejta të qytetarëve. Në fakt, Ideja fillestare e cila po artikulohet është se edhe opozita është pjesë e sistemit të korruptuar, që shërben një grup njerëzish, sipas rregullit shumë të pasur ose me shumë fuqi, që i bie njëjtë. Ndërrimi pozitë-opozitë ndërron vetëm emrat dhe nuk paraqet ndërrim të vërtetë në Serbi e as në Shqipëri.

Luftimi i krimit e korrupsionit që sundon në shoqërinë serbe, dhe jo vetëm atë, bëhet me mjete të shekullit të kaluar, dhe ideologjitë janë treguar jofunksionale për me e ndërrua sistemin, gjendjen. Në një vend ku e majta dhe e djathta qeverisin bashkë, për interesat e një grupi njerëzish, tregon shkallën e degjenerimit të sistemit dhe ideologjisë së tyre.

Pra, ky front, i cili nga mediat po shihen si opsioni i tretë, është duke u ndërtuar nga poshtë-lart. Për herë të parë po tentohet të ndërtohet një strukturë mbi interesat e drejtpërdrejta të qytetarëve dhe të riparohet demokracia e korruptuar, duke e rivendosur linjën kyçe të demokracisë, atë të përfaqësimit të interesave të qytetarëve përmes përfaqësuesve në Parlament.

Marrëveshja me qytetarët u nxor si instrument përmes së cilit partitë politike apo organizatat do të rilidheshin me qytetarin dhe do të rindërtonin sistemin përmes përçimit të vullnetit qytetar. Tendenca që “Lidhja për Serbinë” t’i bashkohet Frontit Qytetar me degë anembanë Serbisë, premton mundësinë e rindërtimit të sistemit përmes një bashkimi të qytetarisë dhe nacionalizmit demokratik mendojnë në Serbi.

Çfarë po ndodhë e re, në Beograd? Fronti Qytetar është risia e vetme, e cila pa parti politike vështirë se mund të funksionojë me sistemin zgjedhor aktual. Liderët e rinj lokalë dhe më vonë nacionalë të kësaj lëvizjeje, do të detyrohen të bashkëpunojnë me bizneset e mëdha, të rregullta, dhe të riformulojnë parimet e këtij bashkëpunimi. Marrëdhëniet e shëndetshme, të rregulluara me ligje në relacionin qytetarët-bizneset e ligjshme, janë baza e demokracisë stabile.

Pra, pse opozita, sado ekstreme që të jetë, nuk ofron alternativë në vendet e Ballkanit? Sepse ajo është ndërtuar nga i njëjti grup i interesave sikurse edhe pozita. Lufta pozitë-opozitë në Ballkan është luftë klanesh, jo interesash shoqërore.

E si legjitimohet opozita në Serbi? Me të njëjtin model si edhe te ne. Kë e sulmon presidenti në Serbi, në profilin e tij në Facebook, ose nëpër debate televizive, apo intervista, ai konsiderohet opozitë. Me kundërshtarët e vërtetë sistemor ai nuk merret hiç, as që i përmend. Kjo kur ke parasysh faktin se mediat janë pronë e të njëjtit grup, se mediat publike drejtohen nga servilët e tyre, atëherë është e qartë formula e krijimit të opozitës dhe liderëve opozitarë sipas interesave të “sofrës së parë”.