LAJMI I FUNDIT:

Fundi i demokracisë

Ne sot ndodhemi në një fushë të qeverisjes ku akterët shtetërorë kanë dhënë liri ndërveprimi me cilëndo palë të interesuara për të bashkëqeverisur, si atë ndërkombëtare, po ashtu edhe atë serbe. Janë dakorduar për një lloj qeverisje shumëpalëshe, me të cilën po i shkojnë për shtati konceptit të Bashkimit Evropian, ndërsa po i largohen çdoherë e më shumë konceptit demokratik.

I gjithë problemi këtu qëndron se kjo “bashkëqeverisje” po ndodhë jo në marrëdhënie ligjore, jo në marrëdhënie të drejta, jo në interes të popullit, por në forma tjera të ndryshme, kryesisht jo legjitime, aspak të drejta, dhe në dëm të popullit. Kaleidoskopi i interesave të ndërkombëtarëve për arritjen e kozmokracisë, po rezulton të mos jetë në interesat tona, përderisa ende po dyshohet për ekzistencën e Kosovës në planetin Tokë.


Ndërhyrjet terapeutike të SHBA-ve dhe aleatëve të saj për çlirim të vendit, e që kishin për qëllim stabilitetin në rajon, po krijojnë destabilitet të brendshëm. Kjo lloj terapie po duket se paska pasur efekte anësore – paralizuese – të cilat çdoherë e më shumë po na pamundësojnë nxitjen për një zhvillim progresiv.

Regresive bëhet gjendja kur pritet të legjitimohet kriminalitetit në Kosovë, kjo përmes Ligjit për amnistinë, e që sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi na qenka pjesë e marrëveshjes përmes së cilës kërkohet integrimi i strukturave serbe të veriut në institucionet e Kosovës, por që njëkohësisht do të vlejë edhe për integrimin e strukturave kriminale shqiptare në po këto institucione qeverisëse (e që duhet të votohet për hir të “partneritetit”).

Natali Velijaj, Xhabir Zharku, Fisnik Blakaj, Ilir Totaj, Fatmir Limaj, Nuhi Uka, djemtë e Adem Grabovcit etj. janë vetëm disa që do të përfitojnë nga ky ligj, e të cilët deri dje janë mbajtur nën arrest për nepotizëm, korrupsion, mashtrim, vjedhje, keqpërdorim detyre, deri edhe në sulmim fizik ndaj policëve – akuza këto që në botën demokratike do të duheshin dënuar.

Pa dashur të hyj në shumë detaje të këtij projekt-ligji, më lan përshtypje disa amnisti të lezetshme e edhe tragjikomike që kishin të bëjnë me të drejtat e kafshëve e që sigurisht i përdorën sa për të na mjegulluar vetëdijen, apo edhe për të treguar një lloj civilizimi me kafshët me faljen e krimeve të përshkallëzuara të njerëzve. Të gjithë këtë ngjarje filozofi amerikan Will Durant do ta quante “pushteti i hajnave”.

Kur kriminelët e lumtur zgjerohen nëpër qytete për shkak se u është garantuar mbrojtja dhe bashkëpunimi total i ligjit, tregon se në çfarë shterpësie morale mund të arrijë shkalla e “demokracisë”. Ai thotë se nëse këta hajna janë anëtarë të cilësdo parti në pushtet, apo kanë shokë në të, ata mund të jenë plotësisht të sigurt se nuk do të arrestohen nëse bëjnë ndonjë krim. Edhe po qe se arrestohen, nuk do të gjykohen; edhe nëse gjykohen, nuk do të vuajnë dënimin; edhe nëse i burgosin, do t’ju falet; edhe nëse nuk do të kenë falje dënimi, do t’ju lejohet të ikin. Nëse dikush prej tyre vritet derisa e kryen zanatin e vet, do të jetë i varrosur me ceremoni ashtu siç i ka hije një pjesëtari të shtresës së lartë dhe do t’i ngrihet edhe lapidari.

Nuk do të habitesha nëse ndonjë ditë do të shihja edhe lapidarët e ndonjërit prej këtyre të amnistuarve. E, këtu vërtetë do përfundonte demokracia.

Qytetarë, ky Ligj për amnisti do ta rrënojë drejtësinë, do t’i rrënojë gjithë përpjekjet e atyre që punuan, luftuan, e dhanë jetën për këtë vend. Prandaj, të mos e lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë. Deputetët nuk duhet ta votojnë, deputetët duhet ta kundërshtojnë. Të gjithë së bashku le të kërkojmë nga këta politikanë të heqin dorë nga praktikat burokratike dhe t’ia vënë zjarrin rregullave “të parregullta” të cilat po na rrezikojnë mirëqenien.

Për një shtet më të mirë, për një jetë me dinjitet, mos e përkrahni, por bashkëngjitni protestës qytetare kundër hajnisë – kundër krimit të organizuar.