FSSH: Nuk ka qytetarë të pambuluar me sigurim shëndetësor në Maqedoni

"Në Maqedoni, si shtet social, nuk ekzistojnë kategori qytetarësh që mbeten pa sigurim shëndetësor", theksoi Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut, Sasho Klekovski.
Ai sqaroi se Ligji për Sigurim Shëndetësor parashikon disa baza mbi të cilat qytetarët mund të sigurohen, duke siguruar kështu një mbulim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për popullatën.
Sipas tij, edhe për ata qytetarë që nuk mund të sigurohen në asnjë nga bazat ekzistuese – kryesisht persona pa të ardhura – ekziston një kategori e veçantë. Për këtë grup, sigurimi shëndetësor mbulohet përmes një programi të Ministrisë së Shëndetësisë.
Klekovski theksoi se në këto raste shteti paguan kontributet e sigurimit shëndetësor, duke garantuar që edhe qytetarët pa të ardhura të kenë qasje në shërbimet shëndetësore.
Ai nënvizoi se ky model e forcon karakterin social të sistemit shëndetësor dhe siguron mbulim universal për të gjithë qytetarët e vendit.




















































