LAJMI I FUNDIT:

Fshati i jetimëve të luftës dhe familjet e të pagjeturve

Çështja e krimeve të luftës dhe mos përgjegjësia për këto krime ka irrituar shumë familje të viktimave dhe të të zhdukurve shqiptarë nga e gjithë Kosova, e sidomos nga Krusha e Vogël, të cilat e kanë humbur shpresën se dikush do të gjykohet për mizoritë e pushtuesve serbë ndaj familjarëve të tyre të pafajshëm – edhe pas 12-13 vitesh të tragjedisë së ndodhur më 26 mars të vitit 1999 në këtë fshat.

Fshati pa burra, siç quhet ndryshe Krusha e Vogël, i takon Komunës së Prizrenit. Nga rreth 700 banorë, sa thuhet se ka pas lufte, 145 nga ta ishin fëmijë jetimë, 82 gra të veja dhe dhjetëra nëna të mbetura pa djem. Mjerisht, pas masakrimit të 114 banorëve, rreth 90 prej tyre u zhdukën pa gjurmë kur forcat pushtuese serbe kidnapuan nëpër shtëpitë e tyre 120 shqiptarë për t’i vrarë dhe zhdukur përgjithmonë.


Krimi serb, si në gjithë Kosovën, edhe këtu nuk kurseu as fëmijët e moshës 13 vjeçare, e as pleqtë 70 vjeç. Gjatë ekzekutimit, gjashtë nga 120 të grumbulluarit për pushkatim – të mbuluar nga gjaku dhe kufomat e të vrarëve, ndonjëri edhe i plagosur rëndë – kishin arritur të shpëtonin.

Pas pak kohe, terroristët serbë, për humbjen e gjurmëve të krimit, ishin kthyer për t’i djegur trupat e të vrarëve. Ndaj, nga 114 të masakruarit, për shkak të deformimit të kufomave nga djegia dhe bartja e mbetjeve mortore për në Serbi, 90 nga ta që nga ajo ditë deri më tani figurojnë si të humbur. Emrat e tyre ekzistojnë vetëm në listën e shqiptarëve të zhdukur.

Nga 2000 të zhdukurit shqiptarë , që nga lufta në Kosovë, 90 prej tyre janë nga Krusha e Vogël. Kurse njëri nga gjashtë të mbijetuarit është Qamil Shehu, nga po ky fshat i djegur dhe shkatërruar të cilit, kriminelët serbë ia kishin vrarë dy djem, tre vëllezër dhe pesë nipër.

Ai i kishte pa ata të vdisnin para syve të tij, derisa qëlloheshin me të gjitha llojet e armëve nga fqinjët serbë, ish kolonët e dikurshëm të vendosur me dhunë si kudo në Kosovë.

Madje, dy nga të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Vogël patën dëshmuar edhe përpara Gjykatës për krimet e luftës së ish Jugosllavisë, në Hagë, kundër kryekriminelit serb Slobodan Millosheviç, i cili vdiq i pa dënuar, kurse të zhdukurit shqiptarë sot e kësaj dite figurojnë edhe më tej në listën e të pagjeturve, duke i shtuar pritjet e gjata të cilave askush nuk ua di fundin.

Fshati i Krushës së vogël, që nga paslufta banohet kryesisht nga fëmijë jetimë dhe gra të veja, të cilat duhet të mbajnë familjet dhe të rritin fëmijë pa etër.

Me gjithë përpjekjet e familjarëve që 54 kriminelët serbë dhe dy bashkëpunëtorët e tyre romë – të cilët banorët e mbijetuar të Krushës i njohin – të sillen para drejtësisë, drejtësia ndërkombëtare deri tash është marrë vetëm me të vrarët trupat e të cilëve janë gjetur, por jo edhe me të zhdukurit dhe të kidnapuarit shqiptarë, me arsyetimin se “pa gjetjen e kufomave, nuk mund të provohet as krimi”!

Zhdukja e trupave të shqiptarëve të vrarë ka qenë qëllimi primar i shtetit serb, me bindjen se pa gjetjen e kufomave nuk mund të dëshmohet gjenocidi i ushtruar kundër banorëve vendës në trojet e tyre etnike. Madje, sikur të mos mjaftonte as kjo, familjarët e shqiptarëve të zhdukur duhet të përballen edhe me kriminelët e kthyer serbë në Kosovë, të cilët sillen sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ngase dosjet e krimeve të luftës të ushtruara nga ata, si nga gjykatat e UNMIK-ut, ashtu edhe nga Misioni i EULEX-it, për afro 12-13 vite janë hedhur në harresë. Kurse, vrasësit e 114 shqiptarëve në këtë fshat, sot e kësaj dite shëtitin të lirë edhe në vendin e krimit.

Vetëm familja Shehu numëron nëntë të vdekur në këtë masakër. Por, deri para pak kohësh, vetëm dy nga ta ishin gjetur dhe rivarrosur, derisa për pjesëtarët e mbijetuar të familjes çdo ditë që vjen, është më e rëndë se tjetra, pasi që shumë oborre dhe shtëpi krushjane, që nga 26 marsi 1999, janë mbuluar nga bari, heshtja dhe dhembja e pa fund e mungesës së kryefamiljarëve.

Në Krushë të vogël gjallëria mbytet me heshtje dhe dëshpërim, ngase përveç vuajtjes për të zhdukurit, shumë familje, në mungesë të etërve, për vite me radhë nuk iu gëzuan asnjë lindjeje. Këtu fëmijët jetim rrisin dhembjen e madhe të kësaj plage kaq të ndjeshme.

Me gjithë kohën e kaluar, shpresa për ta nuk është zhdukur kurrë. Ajo mbetet e gjallë përgjithmonë dhe do të jetojë deri atëherë kur ata të kthehen në vendlindje. Kujtimi i kësaj plage të madhe në Kosovë edhe sot kullon gjak, kudo ku të pagjeturit për kaq shumë vite mungojnë. Kthimi i secilit prej tyre pritet me padurim për një nderim të merituar me dinjitet të lartë njerëzor e kombëtar , ashtu siç i ka hije atdheut ti vlerësoj bijtë e vet.