LAJMI I FUNDIT:

Frika nga coronavirusi: Qytetarët presin me orë të tëra para fabrikave për t’u furnizuar me miell, Qeveria kërkon të mos bëhet panik

Frika nga coronavirusi: Qytetarët presin me orë të tëra para fabrikave për t’u furnizuar me miell, Qeveria kërkon të mos bëhet panik

Megjithëse institucionet shtetërore kanë bërë thirrje të mos bëhet panik, qytetarët në kolona të gjata janë parë para fabrikave, duke pritur për t’u furnizuar me miell.

Në videot e siguruara nga Telegrafi, shihen kolonë e gjatë e automjeteve të cilat presin me orë të tëra për t’u furnizuar me miell, në fabrikën e miellit “Euro-Ver”, në fshatin Prugovc të Prishtinës si dhe në fabrikën e miellit “Vëllazërimi”, në Sekiraqë të Podujevës.


Megjithëse ka të interesuar që të marrin sasi më të madhe të miellit, fabrikat e miellit nuk po shesin më shumë se 100 kilogramë për një person.

Kjo po bëhet në mënyrë që të mund të furnizohen të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë me miell.

Kështu thanë për Telegrafin nga fabrika e miellit “Euro-Ver”.

Ata kanë bërë të ditur po ashtu se nuk do të shtrenjtohet mielli, ashtu siç është raportuar nëpër disa medie, duke i siguruar po ashtu të gjithë konsumatorët se ka rezerva të mjaftueshme për të gjithë.

“Duke parë fluksin e njerëzve dhe kërkesat për miell gjatë këtyre ditëve ju sigurojmë se nuk do të ketë ngritje të çmimeve dhe lusim të gjithë ata që punojnë me miellin tonë, të mos të abuzojnë me çmime në këto ditë stresuese për të gjithë. Ju sigurojmë po ashtu se ne posedojmë rezerva të mjaftueshme dhe do të jemi afër edhe pranë atyre që nuk kanë mundësi të sigurojnë miellin në këto ditë stresuese”, thuhet në njoftim.

Në fabrikën e miellit “Vëllazërimi”, në Sekiraqë të Podujevës, qytetarët po presin që nga ora 07:00, për të marrë një sasi prej 100 kilogramësh, pasi as aty nuk lejohet që të shitet më shumë se 100 kg për person.

Një fluks i madh i qytetarëve të cilët po furnizohen me gjëra elementare ushqimore është parë gjatë dy ditëve të fundit në shumë pika të shitjes nëpër Kosovë.

Abazi thirrje qytetarëve: Mos blini mallra më shumë se zakonisht, marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara
Lexo po ashtu Abazi thirrje qytetarëve: Mos blini mallra më shumë se zakonisht, marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara

Qytetarët nga paniku për mungesë të gjërave ushqimore kanë filluar të blejnë sasi të mëdha të ushqimit, aq sa kanë lënë zbrazët sektorët e ushqimit nëpër markete.

Kosova ka rezerva të mjaftueshme të mallrave në rast të shfaqjes së Coronavirusit
Lexo po ashtu Kosova ka rezerva të mjaftueshme të mallrave në rast të shfaqjes së Coronavirusit

Ndryshe, që nga e mërkura zyrtarë institucional kanë bërë thirrje që të mos krijohet panik për shkak të mungesës së ushqimit, pasi që ka rezerva të mjaftueshme shtetërore dhe tregtia do të vazhdoj normalisht. /Telegrafi/