LAJMI I FUNDIT:

Kosova ka rezerva të mjaftueshme të mallrave në rast të shfaqjes së Coronavirusit

Kosova ka rezerva të mjaftueshme të mallrave në rast të shfaqjes së Coronavirusit

Qeveria e Kosovës në një mbledhje urgjente, të mbajtur të mërkurën mbrëma ka marr një sërë masash me qëllim të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit.

Ditë më parë, qeveria ka miratuar edhe Planin e Veprimit për gatishmëri dhe reagim për Coronavirusin, ndërsa mbi bazë ndau 10 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë.


Por në rast të paraqitjes së Coronavirusit, a ka Kosova rezerva shtetërore?

Lidhur me këtë, drejtori i Rezervave Shtetërore të Kosovës, Arton Muçaj, ka thënë se vendi ynë për momentin disponon rezerva të mjaftueshme të mallrave.

“Ne prej vitit 2012 kemi filluar të grumbullojmë mallra të ndryshëm në rezervën shtetërore. Varësisht prej strategjisë që e ka qeveria për rastet apo fatkeqësitë emergjente, mallrat ndahen në proporcion me vendin. Ne çdo vit, furnizohemi me mallra të tjerë, ku i ruajmë dhe i freskojmë varësisht me sipas marrëveshjes kontraktuale, sipas rregullave në fuqi. Sipas të dhënave të fundit, sasia e mallrave të rezervës shtetërore është në nivelin e duhur”, tha Muçaj, për televizion publik të Kosovës, përcjell Telegrafi.

Kurse, zëvendëskryeministri Haki Abazi ka njoftuar të gjithë qytetarët se nuk do të ketë asnjë kufizim në tregti dhe se marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara.

Ai ka deklaruar se qytetarët nuk kanë nevojë të bëjnë blerjen e mallrave dhe gjësendeve më shumë se zakonisht.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, dua t’ju informoj për diçka shumë të rëndësishme. Në kuadër të masave për menaxhimin e situatës me Coronavirus, nuk do të ketë asnjë kufizim të tregtisë. Marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara. Në gjithë botën, edhe aty ku ka epidemi, tregtia vazhdon. Pra nuk ka nevojë të blini mallra dhe gjësende më shumë se zakonisht”, ka shkruar ai, përcjell Telegrafi.

Abazi thirrje qytetarëve: Mos blini mallra më shumë se zakonisht, marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara
Lexo po ashtu Abazi thirrje qytetarëve: Mos blini mallra më shumë se zakonisht, marketet do të jenë vazhdimisht të furnizuara

Sipas Ligjit për Rezerva Shtetërore, mallrat krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile dhe shumë raste tjera të ngjashme.

Rezervat shtetërore të mallrave sigurohen në bazë të Planit Strategjik Afatmesëm, kurse administrohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, shkruan Telegrafi.

Në bazë të këtij plani për vitet 2016-2018, rezervat shtetërore të parapara ishin kryesisht produkte ushqimore. Në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas atij plani, sigurimi i grurit (nga i cili përfitohet mielli) do të bëhej për 20 ditë për gjithë popullatën, i sheqerit për 15 ditë për 20 mijë banorë, kurse nafta dhe derivatet e saj ishin në sasinë e rezervuara për tri ditë të importit të përgjithshëm vjetor.

Bislimi kërkon nga ATK-ja masa rigoroze ndaj bizneseve që manipulojnë me çmimet
Lexo po ashtu Bislimi kërkon nga ATK-ja masa rigoroze ndaj bizneseve që manipulojnë me çmimet

Ndërkaq, artikujt tjerë joushqimor, në atë kohë, ishin të planifikuar për nevojat e 20 mijë banorëve. Sipas këtij plani, lista e produkteve të rezervave shtetërore përmbante gjithsejtë 51 produkte, nga të cilat 14 ishin agro-ushqimore dhe 37 produkte joushqimore, kryesisht sanitare.

Për këtë vit ende nuk është bërë publike sa mjete janë ndarë për rezerva shtetërore, pasi Projektligji për buxhet për vitin 2020, i cili parashihet të jetë mbi 2.3 miliardë euro, të martën është miratuar nga Qeveria e Kosovës, por ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/