LAJMI I FUNDIT:

Bislimi kërkon nga ATK-ja masa rigoroze ndaj bizneseve që manipulojnë me çmimet

Bislimi kërkon nga ATK-ja masa rigoroze ndaj bizneseve që manipulojnë me çmimet
Ministri i Financave, Besnik Bislimi | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi gjatë një vizite në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) ka kërkuar masa rigoroze ndaj bizneseve, të cilat keqpërdorin situatën e fundit për ngritje të çmimeve.

Bislimi tha se situata e fundit nga rreziku i Coronavirusit, nuk duhet të keqpërdorët ose shfrytëzohet për pasurim të bizneseve, duke dëmtuar qytetarët dhe buxhetin e shtetit.

Me këtë rast, ai ftoi ATK-në që të jetë në terren dhe të marrë masë ndaj atyre që bëjnë vepër penale për ngritjen e çmimeve.

“Kemi pasur një takim dhe kemi diskutuar se çfarë masa të ndërmarrim që të mbrojmë qytetarët. Të kthej çmimet në nivelin normal, ATK-ja të dalë në teren për të inspektuar marketet dhe farmacitë për të identifikuar çmimet. Në rast se ka çmime të tilla, atëherë do të ndërmarrim veprime rigoroze në mbylljen e biznesit”, tha ai.

Edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ATK tha se do të respektojnë të gjitha kërkesat e Qeverisë për mbrojtjen e konsumatorëve.

“Janë paraparë një mori masash nga qeveria dhe ATK në mbrojtje të qytetarëve në blerjen e produkteve ushqimore. Do të dalim në teren për të vëzhguar situatën. Të mos keqpërdoren situatat me qëllim të përfitimit. Do të bashkëpunojmë ngushtë me prokurorinë e shtetet. Nga nata e mbrëmshme ka raste që janë ngrit çmimet. Ne do të bëjmë inspektim në terren. Do të jemi të pa kompromis ndaj atyre që keqpërdorin këtë situatë”, tha Murtezaj. /KP/