LAJMI I FUNDIT:

France 24: Propaganda dhe dezinformatat ruse vazhdojnë të gjejnë terren në Serbi

France 24: Propaganda dhe dezinformatat ruse vazhdojnë të gjejnë terren në Serbi

Pas 12 vitesh së bashku, ishte propaganda ruse ajo që përfundimisht i dha fund martesës së Ljubov Mariqit me bashkëshortin e saj serb.

Siç shkruan France 24, ukrainasja pranon se kishin pasur vështirësi, por pas pushtimit ushtarak të Ukrainës në muajin shkurt, gjërat filluan të përkeqësoheshin, pasi burri i saj u përballë me një sasi të madhe propagande ruse.


Burri me të cilin ajo kishte rënë dikur në dashuri, ka ndaluar djalin e tyre që të dëgjonte muzikë popullore ukrainase, duke e quajtur atë vepër të “nazistëve”.

“Unë kisha shpresuar për mbështetje dhe mirëkuptim, por ai filloi të fajësonte të gjithë përveç rusëve”, thotë 44-vjecarja ukrainase.

Menjëherë pas kësaj, ajo kishte paketuar valixhet dhe pavarësisht luftës u kthye në Ukrainë.

Propaganda e Kremlinit ka gjetur një audiencë të gatshme në Serbi, ku urrejtja e zjarrtë ndaj NATO-s dhe SHBA-së ka bërë që shumë qytetarë të janë në anën e Moskës.

Derisa pjesa më e madhe e Evropës ka kërkuar të “shtrëngohen” mediet ruse të lajmeve, ato lulëzojnë në Serbi ku edhe mediet e mbështetura nga pushteti dezinformojnë dhe propagandojnë sipas linjës së Kremlinit.

“Unë mendoj se e vërteta është diku në mes, por askush nuk e raporton atë. Kështu që unë ndjek mediet ruse dhe perëndimore dhe përpiqem të lexoj midis rreshtave. Ata (Perëndimi) i kanë kufizuar mediat ruse që të mos arrijnë të dëgjojnë palën tjetër. Gjithçka që ju e merrni si përfundim, është histeri”, thotë dizajneri 27-vjeçar Dario Açimoviq.

Raporti i EUI-së: Mediat në Serbi të kapura nga pushteti, gazetarët kërcënohen me padi
Lexo po ashtu Raporti i EUI-së: Mediat në Serbi të kapura nga pushteti, gazetarët kërcënohen me padi

“Statusi hyjnor” i Putinit

Nën qeverisjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, mediet në Serbi gjithnjë e më shumë janë detyruar të ndjekin vijën qeveritare, ndërsa medie të pavarura, që janë të pakta, janë përballur me presion të vazhdueshëm nga autoritetet.

Gjatë periudhës së luftës, tabloidi kryesor i Serbisë, Informer, botoi artikuj të shumtë që lavdëronin Vladimir Putinin duke përfshirë ballinën e botuar dy ditë para pushtimit me titullin “Ukraina ka sulmuar Rusinë”.

“Mjetet e propagandës pro-qeveritare të Serbisë krijuan kultin e personalitetit të Putinit, i cili madje tejkalon atë që ata ndërtuan për Vuçiçin. Ai gëzon një status praktikisht hyjnor”, thotë profesori i gazetarisë në Universitetin e Novi Sadit, Dinko Gruhonjiq.

Sipas sondazhit të fundit të bërë nga CRTA, dy të tretat e popullsisë serbe ndjehet “më e afërt” me Rusinë.

Tre të katërtat e serbëve besojnë gjithashtu se Kremlini u detyrua të hyjë në luftë “për shkak të pretendimeve të NATO-s për t’u zgjeruar”.

I njëjti sondazh tregoi se 40 për qind e popullsisë ishin në favor të heqjes dorë nga pritja e gjatë e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe në vend të kësaj ta zgjedh për aleate Moskën.

Pavarësisht sanksioneve, Sergei Lavrov ishte ftuar personalisht nga Aleksandar Vuciqi që ta vizitoj Serbinë
Lexo po ashtu Pavarësisht sanksioneve, Sergei Lavrov ishte ftuar personalisht nga Aleksandar Vuciqi që ta vizitoj Serbinë

“Mediat pro-qeveritare kanë një qëndrim të qartë pozitiv ndaj Rusisë, janë neutrale ndaj BE-së dhe negative ndaj Ukrainës. Rusia është alternativa e treguar për votuesit për të provuar se Serbia mund t’ia dalë pa Bashkimin Evropian”, shprehet njëri nga autorët e sondazhit, Vujo Iliq.

Në Beograd, bluzat me fytyrën e Putinit shiten nga kioskat e suvenireve, ndërsa shkronja “Z”, e cila është bërë simboli rus për pushtimin, është pikturuar në muret e qytetit.

Nuk është e vërtetë ajo që thonë

Mbulimi i luftës dhe konsumimi i lajmeve nga burimet ruse nuk ka kaluar pa u vënë re, ku ambasadori ukrainas në Beograd ngriti zërin në shenjë proteste duke thënë se “qytetarët e Serbisë nuk janë të informuar siç duhet”.

Por të qëndrosh i përditësuar me lajmet e sakta për luftën nuk është gjithmonë e lehtë në Serbi.

Edhe për një ukrainase si Mariq, e cila ka qasje në në lajme të dorës së parë, përmbysja e dezinformatave dhe propagandës ruse në Serbi është e vështirë. /Telegrafi/