LAJMI I FUNDIT:

Fotografia më e mirë e Mous Lamrabatit

Fotografia më e mirë e Mous Lamrabatit

Bashkëbisedimi i gazetares Amy Fleming me fotografin Mous Lamrabat / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Linda në veri të Marokut, me gjashtë vëllezër e motra. U transferuam në Belgjikë kur isha dy vjeç, por ktheheshim çdo vit për ta vizituar familjen. Ishin kohët më të mira, kur krijoheshin kujtimet dhe kur krijohej frymëzimi. Nostalgjia është një prej ndjenjave të mia të preferuara. Të kthen në kohën kur ishe më i lirë, dhe jam përpjekur t’i vendos gjërat me të cilat jam rritur në punën time.


Puna ime gjithmonë i ka pasur dy pjesë. Moda, sepse aty mund të jesh krijues; nuk ka kufij – çdo gjë mund të jetë modë për sa kohë që përfshihen rrobat. Dhe, pastaj janë gjërat që më pëlqejnë t’i bëj. Si fëmijë, mbaj mend që qëndisja logot e Nike-s në kapelën që babai im mbante në xhami, sepse mendoja se ishte interesante. Puna ime është vazhdimi fotografik i kësaj lloj gjëje.

Në vitin 2020, bashkëpunova me një artist të talentuar të balonave për një foto reviste. Kam qenë gjithmonë adhurues i madh i atleteve dhe i kërkova të krijonte këpucë për mua dhe ai këtë e bëri. I çova në shtëpi dhe, për shkak se balonat nuk zgjasin aq gjatë, e bëra menjëherë këtë imazh. Ishte rreth kohës kur vdiq lojtari i LA Lakers, Kobe Bryant, dhe unë po krijoja nikabe me numrin e Kobes dhe numrin e Michael Jordanit të shtypur në to. Mendova: ndoshta mund të bëj një foto me nikabin Jordan dhe atletet Nike, sikur, po sikur në një univers paralel kjo të ishte uniforma e basketbollit?

Mundohem të krijoj botë paralele ku është estetika ime, por me veshje tradicionale. Kështu fantazoj për gjërat dhe më duket si udhëtim në kohë, në një mënyrë të ngjashme me atë se si në filmat futuristikë shihni shumë veshje tradicionale që kthehen, por me shumë gjëra të teknologjisë së shtuar. Njerëzit shpeshherë thonë se përpiqem t’i lidh dy botë të ndryshme, por më shumë përpiqem të bashkoj kohë të ndryshme.

Ashtu siç i njohim lehtësisht uniformat për infermierët, ashtu edhe veshja tradicionale e tregon një histori. Shpeshherë zgjedh veshjet tradicionale që më kujtojnë se nga jam, llojin e vendit me të cilin jam lidhur, gjërat që kam parë gjyshen time t’i vishte.

Duke krijuar këto imazhe për veten time, nuk do ta kisha ëndërruar kurrë që kaq shumë njerëz do të kishin lidhje me to. Mendoja se për shumë grupe ka diçka të dallueshme. Jam i dhënë pas atleteve, jam rritur me kulturën e basketbollit dhe të hip-hop-it, dhe nëse shikoni se çfarë është interesante tani është pikërisht ai lloj i veshjeve për rrugë.

Raca është diçka që më preokupon. Por, në punën time fokusohem në atë sesa të përbashkëta kemi të gjithë ne. Vizualisht përpiqem të tregoj se si estetika e vendit nga jam funksionon mirë me estetikën e një pjese tjetër të botës. Më pëlqen që ju mund t’i shihni të gjitha llojet e njerëzve, të të gjitha ngjyrave dhe moshave, duke e parë të njëjtën foto timen në një galeri. Kështu funksionon i gjithë universi im imagjinar – duke treguar se këto gjëra duken mirë së bashku; ata punojnë së bashku. Si nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë në jetën reale?

Imazhi im i fundit i kopertinës për GQ Middle East është vazhdim i këtyre gjërave që funksionojnë mirë së bashku – gjelaba me fanella basketbolli të veshura mbi to. Me babanë tim ne ende çdo të premte shkojmë në xhami dhe kur luanim basketboll i vishnim fanellat poshtë. Tani e vendosa vetëm sipër.

Herë pas here shoh reagime negative për punën time. Zakonisht kjo ka të bëjë me mbulimin e grave, si: “Pse e romantizon kopertinën?” nga një grup që është kundër hixhabeve dhe shamive. Ose, njerëzit që mbajnë mbulesë thonë: “Pse po i romantizon dhe nuk i respekton gratë e mbuluara?” Është e vështirë, por kur i dëgjoj këto gjëra zakonisht ndodh pasi njerëzit kanë ndarë punën time në platforma ku nuk ka asnjë kontekst dhe ata njerëz nuk më njohin mua ose atë që unë përfaqësoj.

***

CV-ja e Mous Lamrabatit

Vendi dhe viti i lindjes: Temsaman, Marok, 1983.

Trajnimi: Autodidakt.

Ndikimi: “Çfarëdo që ngjall ndjenja apo emocion tek unë.”

Pika kryesore: “Shfaqja ime e parë solo me gjithë familjen dhe miqtë e mi.”

Pika e ulët: “Njerëzit keqinterpretojnë punën time dhe ma thyejnë zemrën me injorancën e tyre.”

Këshilla kryesore: “Gjejeni ‘normalen’ tuajën. Zbërtheni gjithçka që dini.”

/Telegrafi/