Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar (FEMSH), si një nga zërat kryesorë të komunitetit të biznesit në rajon, ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga qeveritë për perballimin e krizës së çmimeve dhe presioneve në rritje mbi ekonominë.

Sipas një njoftimi për media thuhet se nën udhëheqjen e kryetarit, Besim Beqaj, FEMSH thekson se rritja e çmimeve të karburanteve po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove të bizneseve, uljen e fuqisë blerëse dhe dobësimin e konkurrueshmërisë, duke rrezikuar investimet dhe vendet e punës.


"Në këtë kontekst, FEMSH kërkon masa konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet shtetërore, përfshirë: lehtësim të përkohshëm fiskal për stabilizimin e çmimeve, transparence të plotë në formimin e tyre, forcim të kontrollit të tregut dhe mbështetje direkte per sektorët më të prekur si transporti, bujqësia dhe industria. Po ashtu, kërkohen masa afatgjata për siguri energjetike dhe një dialog i institucionalizuar ndërmjet qeverive dhe biznesit", thuhet në njoftim.

Tutje siç thuhet në njoftim, sipas Beqajt, biznesi nuk mund të përballojë i vetëm këtë situatë dhe çdo vonesë në vendimmarrje rrit koston për ekonominë dhe qytetarët.

Ai thekson se nevojiten masa të shpejta, të matshme dhe të koordinuara për të shmangur përshkallëzimin e krizës.

"FEMSH pozicionohet si një partner kyç për qeveritë në hartimin e politikave ekonomike, duke kërkuar vendimmarrje të guximshme dhe bashkëpunim të ngushtë për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon. Deklarata për media e prezantuar në këtë takim do t’u përcillet qeverive përkatëse, sipas specifikave të secilit vend, me qëllim njohjen e tyre me kërkesat konkrete të paraqitura nga komuniteti i biznesit dhe adresimin e tyre përmes masave të nevojshme institucionale", thuhet në njoftim. /Telegrafi/