Kryetari i LDK-së Isa Mustafa nuk pret që bisedimet për arritjen e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen të zgjasin gjashtë muaj sikurse në vitin 2014, por paralajmëroi se në rast të dështimit të marrëveshjes, atëherë si parti do të shkojnë në opozitë.

Ai këto komente i bëri pas takimit të Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, ku është biseduar lidhur me ecurinë e bisedimeve për formimin e qeverisë së re, të cilat janë vënë në ngërç për shkak mos pajtimeve për postin e presidentit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tash kanë zhvilluar 11 takime, por pa mundur të arrijnë marrëveshjen finale, pavarësisht se këto dy parti, që dolën të para në zgjedhjet e 6 tetorit, thonë se kanë përafrim të qëndrimeve.

Kreu i LDK-së Isa Mustafa tha se LDK është e përkushtuar që të arrijë një koalicion për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se do të vazhdojë t’i përgjigjet ftesave së VV-së për takimet e ardhshme.

“LDK vlerëson se ky koalicion nuk duhet të shihet si një koalicion i rivalitetit, por si një koalicion i partneritetit, i cili do të jetë i destinuar për të bërë ndryshime të domosdoshme në qeverisjen më të mirë të vendit dhe për t’iu ofruar perspektivë zhvillimore dhe shteti ligjor të Kosovës.  Këshilli ishte i bindur se LDK-ja duhet në këtë marrëveshje të vlerësohet karshi përkrahjes që ka marrë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit,  qoftë në ndarjen e përgjegjësive me VV, qoftë edhe në programin qeverisës i cili është harmonizuar… Ne do të vazhdojmë t’i përgjigjemi ftesës së VV për takimet e ardhshme. Vlerësojmë nëse ka vullnet politik, çështja e marrëveshjes mund të arrihet. Pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozitat dhe këto pozita të jenë në harmoni me koalicionin tonë, ose tetë vjet më vonë dhe assesi jo si koalicion që do të sfidohet nga momente të caktuara si nga zgjedhja e presidentit”, tha Mustafa.

I pyetur se a ka presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes, kryetari Mustafa tha se nuk është takuar me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, por me ambasadorët e QUINT-it nga të cilët ka kërkuar ndihmën e tyre në procesin e arritjes së marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës.

Ai tha nesër do të takohet me të dërguarin e Merkel nga CDU për të biseduar lidhur me negociatat për arritjen e koalicionit qeverisës.

Abazi thotë se LVV mirëpret propozimin e LDK-së që të japin edhe një ministri për pozitën e presidentit Abazi thotë se LVV mirëpret propozimin e LDK-së që të japin edhe një ministri për pozitën e presidentit

Mustafa: S’kam folur me Konsett, nesër takohem me të dërguarin e Merkelit

“Personalisht nuk e kam takuar ambasadorin Kosnett, por jam takuar me ambasadorë të QUINT-it, të cilët i kam njoftuar për procesin e bisedimeve dhe kam kërkuar që edhe ata të na ndikojnë në këtë proces. Nuk ka pasur kërkesa eksplicite të ambasadorëve, por ka pasur shpresë të vullnetit të mirë që edhe kjo të kryhet sa më shpejtë, ndërsa nesër, po, do të takohem me Peter Bayer, i cili do të jetë këtu në orët e hershme të ditës”, tha Mustafa.

Lidhur me atë nëse problemi qëndron te posti i presidentit, Mustafa tha se në vitin 2014 ishte formuar koalicioni i atëhershëm pas gjashtë muajsh, por tash pret që kjo të kryhet më herët edhe pse nuk ka një gatishmëri e VV-së që postin e presidentit ta ketë LDK-ja.

LDK nuk heq dorë nga posti i presidentit - Mustafa thotë se për të partia e tij do t'ia japë edhe një ministri më shumë LVV-së LDK nuk heq dorë nga posti i presidentit - Mustafa thotë se për të partia e tij do t'ia japë edhe një ministri më shumë LVV-së

“S’kisha dashur që ky koalicion të arrihet pas gjashtë muajve. Kisha dashur që ky koalicion të arrihet para datës 26 të këtij muaji, në mënyrë që të jetë e suksesshme seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Çështja e presidentit është njëra prej çështjeve që duhet të diskutohet, sepse është prej pozitave që do të sfidohemi gjatë kësaj periudhe dhe konsideroj se nuk është çështje që neve domosdo do të na bllokojë, sepse është çështje e një mirëbesimi e një zotimi, por jo çështje që do të ndodhë sot. Do të vazhdojmë të punojmë me VV dhe të verifikohemi për një vit se a jemi serioz apo jo dhe nuk shoh asnjë pengesë që VV-ta duhet të pranojë të japë një zotim për partnerin e vet që ta përkrahë atë pozitë që ta ketë LDK-ja si kandidat, ashtu sikurse ne kemi besimin që ia japim kryeministrit që vjen nga VV dhe nuk shtrojmë pyetjet se a duhet apo s’duhet të jetë”, u shpreh Mustafa.

Ai ka bërë të ditur se në momentin që VV i fton për bisedime, LDK-ja është e gatshme.

Lidhur me çështjen e Ministrisë së Brendshme që ajo t’i takojë LDK-së, Mustafa nuk deshi të komentojë këtë duke thënë se të gjitha ministritë janë të rëndësishme.

Ai tha se në momentin që do të pajtohej VV kur të zgjidhej çështja e postit të presidentit, LDK-ja do t’i ofronte njërën nga ministritë e saj, por që nuk ka marrë përgjigje pozitive.

Mustafa: Nëse nuk arrihet koalicioni me LVV-në, shkojmë në opozitë Mustafa: Nëse nuk arrihet koalicioni me LVV-në, shkojmë në opozitë

Derisa kreu i VV-së Albin Kurti ka thënë më herët se mund të kërkojë emrin nga radhët e LDK-së për president, kryetari Mustafa tha se ende nuk kanë përcaktuar emra për president dhe as për ministra, as për zëvendës ministra dhe as për kryetar të Kuvendit.

Ai ndërkaq ka paralajmëruar edhe për hapat e tjerë që do të ndërmarrë LDK-ja nëse nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare për formimin e qeverisë.

“Do të japim emrin e kandidati për president në moment që fillon procedura e zgjedhjes së presidentit… Edhe Vetëvendosja na ka pyetur në bisedë se a keni plan B. Ne u kemi thënë se plani B ynë është që të shkojmë në opozitë. Asnjë plan tjetër nuk kemi dhe asnjë veprim tjetër s’do ta marrim. Nëse e bëjmë qeverinë me VV, e bëjmë, nëse s’e bëjmë, ne s’pranojmë asnjë mandat nga presidenti dhe nuk bëjmë asnjë marrëveshje me partitë tjera”, tha kryetari Mustafa.

Ai ka komentuar edhe rreth seancës konstituive të Kuvendit më 26 dhjetor, duke thënë se edhe kjo çështje i takon VV-së si parti fituese dhe se sipas marrëveshjes kryetari i Kuvendit do të jetë nga radhët e LDK-së.