FMN vlerëson progresin e Kosovës në forcimin e sektorit financiar

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili, është takuar me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, David Amaglobeli, gjatë Takimeve Pranverore 2026 të Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore në Washington DC.
Në një takim të përbashkët me Ministrin e Financave, të mbajtur në kuadër të FMN-së, Guvernatori Ismaili e ka informuar Amaglobelin mbi zhvillimet e fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë, duke theksuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar të vendit.
Sipas komunikatës, në takim është diskutuar edhe progresi i arritur në kuadër të Raportit të Stafit për Konsultimet e Nenit IV për vitin 2026, si një proces i rëndësishëm i mbikëqyrjes ekonomike nga FMN.
Guvernatori Ismaili ka ritheksuar përkushtimin e BQK për zbatimin e reformave strukturore, forcimin e kornizës rregullative dhe ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroprudencial në vend.
Po ashtu, ai ka theksuar angazhimin e BQK-së në iniciativa rajonale, përfshirë projektet e FMN-së për Qendrën Rajonale të Asistencës Teknike (SEETAC), me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i FMN-së, David Amaglobeli, ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet FMN-së dhe BQK-së, duke theksuar progresin në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rëndësinë e asistencës teknike të vazhdueshme.
Në përfundim të takimit, palët kanë ritheksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe institucioneve të Kosovës, me fokus në stabilitetin makrofinanciar dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. /Telegrafi/




















































